Ambasadori në pension dhe ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së, William G. Walker, i ka dërguar një letër udhëheqësve të partive politike në Kuvendin e Kosovës, duke propozuar Faton “Tony” Bislimin si kandidat për President të Republikës.
Walker shpreh shqetësim të thellë lidhur me bllokadën e vazhdueshme të procesit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri. Sipas tij, asnjë nga kandidatët aktualë nuk i plotëson në tërësi kërkesat për këtë post kyç.
Letra, e siguruar nga Telegrafi, thekson nevojën për një person me aftësi të veçanta dhe përkushtim për ta avancuar Kosovën në arenën ndërkombëtare. Walker argumenton se Faton Bislimi, të cilin e njeh prej vitesh, posedon cilësitë e nevojshme për një president të suksesshëm.
Ndër cilësitë thelbësore të Bislimit, Walker përmend njohjen e botës, formimin e shkëlqyer akademik, aftësitë e forta komunikuese (shqip, anglisht, frëngjisht), njohjen e thellë të procesit të shtetformimit të Kosovës, personalitetin social dhe aftësinë për të qenë një kandidat konsensual, i cili nuk përfaqëson interesa partiake.
“Faton nuk përfaqëson interesa partiake. Ai përfaqëson bindjet e veta dhe përkushtimin për një Kosovë më të mirë”, thuhet në letër, duke nënvizuar se Bislimi ka aftësitë dhe profilin personal për të qenë një President i suksesshëm.
