Vendimi është marrë të enjten, më 5 nëntor 2026, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe mbajtjes së seancës dëgjimore në Pallatin e Drejtësisë, transmeton lajmi.net.
Sipas komunikatës së Gjykatës, pesë të pandehurit, me inicialet I.S., F.S., A.C., A.E. dhe V.S., dyshohen për veprën penale të pjesëmarrjes ose organizimit të grupit kriminal të organizuar, si dhe për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.
Gjykata ka bërë të ditur se kërkesa e Prokurorisë Speciale për caktimin e paraburgimit është aprovuar për të gjithë të dyshuarit.
Arsyetimi i gjykatës për caktimin e kësaj mase lidhet me rrezikun që të pandehurit, nëse do të liheshin në liri, mund të pengonin zhvillimin e procedurës penale, të ndikonin në prova dhe dëshmitarë, si dhe t’i shmangeshin drejtësisë.
Në komunikatë thuhet se disa prej të pandehurve janë shtetas të Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut, çka sipas gjykatës përbën rrezik konkret që ata të largohen nga vendi për t’iu shmangur ndjekjes penale.
Gjykata ka vlerësuar gjithashtu se ekziston mundësia që të dyshuarit të përsërisin veprat e njëjta penale ose të kryejnë vepra të tjera.
Kundër këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Operacioni “Rikthimi” u realizua më 3 nëntor në rajonet e Ferizajt dhe Prishtinës, nga Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë Speciale dhe në mbështetje të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.
Gjatë aksionit u arrestuan pesë persona, ndërsa u sekuestruan 37 kilogramë e 332 gramë substancë e dyshuar narkotike, e ndarë në 62 paketime.
Vlera e saj në treg është vlerësuar në rreth 550 mijë euro.
Sipas dyshimeve të hetuesve, ngarkesa kishte origjinën nga Irani dhe ishte sjellë në Kosovë e fshehur mes mallrave komerciale.
Të gjithë të pandehurit konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Superliga e Kosovës: Publikohet orari i ndeshjeve për javën e 13-të
Historike për QKUK-në, realizohet lindja e parë pas…
Raiffeisen Bank reagon për rastin e Përparim Ramës:…
Çitaku takon ambasadorin britanik, diskutojnë për zhvillimet politike…
