Përmes një postimi, Konjufca ka bërë të ditur se gjatë takimit e ka falënderuar homologun zviceran për mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës ndaj Kosovës, si dhe për solidaritetin e treguar ndër vite ndaj qytetarëve shqiptarë, transmeton lajmi.net.
Ai ka vlerësuar veçanërisht kontributin e Zvicrës në periudhat më të vështira për Kosovën, duke përmendur mundësitë që ky shtet u ka ofruar bashkatdhetarëve shqiptarë, përfshirë strehimin e të përndjekurve politikë dhe mijëra qytetarëve gjatë viteve ’90.
“Sot prita në një takim miqësor kolegun dhe mikun tim, anëtarin e Këshillit Federal dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Zvicrës, Ignazio Cassis. E falënderova për mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës për Kosovën dhe i shpreha mirënjohjen e popullit tonë për solidaritetin dhe mundësitë që vendi i tij u ka dhënë bashkatdhetarëve tanë në kohët më të vështira për vendin tonë”, ka shkruar Konjufca.
Kryediplomati kosovar ka theksuar se raportet ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës janë ndërtuar ndër dekada, kryesisht përmes lidhjeve të diasporës shqiptare me shtetin zviceran.
Sipas tij, bashkatdhetarët që u vendosën në Zvicër gjatë periudhave të ndryshme jo vetëm që kontribuuan në zhvillimin e shoqërisë zvicerane, por ndihmuan edhe Kosovën përmes përkushtimit dhe mbështetjes ndaj vendlindjes.
“Mundësitë që diaspora jonë gjeti në Zvicër u kthyen në kontribut për të dyja vendet: me punën e tyre ndihmuan në zhvillimin e shoqërisë zvicerane, ndërsa me përkushtimin ndaj atdheut u bënë një prej shtyllave të rimëkëmbjes dhe zhvillimit të Kosovës”, ka deklaruar ai.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve, sipas Konjufcës, i është kushtuar edhe perspektivës evropiane të Kosovës dhe rolit të Zvicrës në mbështetjen e këtij procesi.
Po ashtu, dy zyrtarët kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe mundësitë për tërheqjen e investimeve të reja nga kompanitë zvicerane.
“Në takim diskutuam për integrimin evropian të Republikës së Kosovës dhe rëndësinë e mbështetjes që Zvicra i ka dhënë vendit tonë në avancimin e këtij synimi strategjik. Po ashtu, i kushtuam vëmendje të veçantë thellimit të marrëdhënieve ekonomike dhe mundësive për më shumë investime zvicerane në Kosovë, përmes të cilave afërsia mes vendeve tona mund të përkthehet në partneritete të qëndrueshme mes bizneseve dhe në më shumë mundësi zhvillimi për qytetarët tanë”, thuhet në postimin e tij.
Pas takimit, Konjufca dhe Cassis kanë marrë pjesë edhe në përurimin e objektit të ri të Ambasadës së Zvicrës në Kosovë.
Konjufca e ka cilësuar këtë investim si dëshmi të përkushtimit afatgjatë të shtetit zviceran ndaj Kosovës dhe të besimit të ndërsjellë për forcimin e raporteve dypalëshe.
“Ky investim nga ana e tyre dëshmon përkushtimin afatgjatë të Zvicrës ndaj vendit tonë dhe besimin e ndërsjellë në thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me Republikën e Kosovës”, ka shkruar ministri.
Në fund, Konjufca ka theksuar se miqësia ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës është ndërtuar mbi solidaritetin dhe mbështetjen në periudha të vështira, duke shprehur bindjen se këto raporte do të vazhdojnë të forcohen edhe në të ardhmen.
“ Kosovën dhe Zvicrën i lidh një miqësi e sprovuar në kohë të vështira, që sot na jep vullnet dhe besim për të ndërtuar të ardhmen së bashku”, ka përfunduar Konjufca.
“Mos i dërgoni fëmijët në shkollë”, prindërit alarmohen…
Superliga e Kosovës: Publikohet orari i ndeshjeve për javën e 13-të
Historike për QKUK-në, realizohet lindja e parë pas…
Raiffeisen Bank reagon për rastin e Përparim Ramës:…
