Një zhvillim i papritur ka tronditur pallatin mbretëror të Bruneit, ku Pengiran Rabiatul Antawiyya, bashkëshortja e Princit Abdul Malik, është përjashtuar nga familja mbretërore dhe i janë hequr të gjitha titujt. Vendimi drastik është marrë nga Sulltani Hassanal Bolkiah, i cili ka arsyetuar veprimin me akuza për “sjellje të papërshtatshme” dhe “njollosje të emrit të mirë të monarkisë” nga ana e 33-vjeçares.
Detajet specifike që kanë zemëruar Sulltanin mbeten mister, por zyra e Kamerierit të Madh ka konfirmuar revokimin e titujve dhe përjashtimin e Antawiyya-s nga radhët mbretërore. Ajo iu bashkua familjes mbretërore në vitin 2015 pas martesës me djalin e dytë të Sulltanit, Princin Abdul Malik. Ceremonia madhështore zgjati dhjetë ditë dhe çifti ka katër vajza, të cilave, sipas burimeve, nuk u janë prekur titujt mbretërorë.
Sulltan Hassanal Bolkiah, një nga monarkët më jetëgjatë dhe me ndikim në botë, sundon Brunein që nga viti 1967 dhe mban gjithashtu postin e kryeministrit që nga pavarësia e vendit në vitin 1984. Ai kontrollon ministritë kryesore dhe forcat e sigurisë, ndërkohë që organizatat ndërkombëtare e kanë kritikuar për shkelje të të drejtave të njeriut, veçanërisht pas hyrjes në fuqi të ligjeve të ashpra islamike në vitin 2019.


