Futbollisti i ri Florent Hajdini ka marrë një vendim të rëndësishëm për të ardhmen e tij ndërkombëtare, duke zgjedhur të përfaqësojë Kosovën.
Hajdini, i cili mbushi 20 vjeç në shtator të këtij viti, ka qenë pjesë e kombëtareve të Austrisë, duke luajtur për Austrinë U-19 dhe së fundmi ka marrë ftesë edhe nga Austria U-21. Megjithatë, sipas informacioneve nga faqja e specializuar Transfermarkt, ai ka vendosur t’i bashkohet Përfaqësueses së Kosovës.

Mesfushori qendror dhe mbrojtës, Florent Hajdini, aktualisht luan për ekipin austriak Amstetten. Vlera e tij në tregun e transferimeve vlerësohet rreth 150 mijë euro.
Ky vendim i Hajdinit vjen pas një periudhe reflektimi, ku ai ka shprehur qartë lidhjen e tij emocionale me vendlindjen e tij. “Falenderoj Austrinë përherë për gjithçka, por zemra ime rreh për Kosovën,” është shprehur Hajdini, cituar nga mediat austriake, duke konfirmuar kështu përkushtimin e tij ndaj ngjyrave kuqezi.
