Futbolli kosovar shënon një afrim të ri premtues! Lindrit Kamberi, qendërmbrojtësi 27-vjeçar i FC Zurich, ka pranuar ftesën për t’iu bashkuar Përfaqësueses së Kosovës, duke u bërë kështu pjesë e ‘Dardanëve’ për ndeshjet e nëntorit në Ligën e Kombeve.
Kamberi, i gjatë 184cm, vjen me një përvojë të konsiderueshme në mbrojtje, duke qenë një figurë kyçe te ekipi i Superligës së Zvicrës. Më parë, ai ka përfaqësuar Zvicrën në nivelin U-20, por tashmë ka vendosur t’i bashkohet Kosovës, duke treguar një rritje të dukshme si lojtar.

Sipas informacioneve nga ‘Blicku’ zviceran, Kamberi ka qenë në qendër të vëmendjes për performancat e tij mbresëlënëse te Zurichu. “Lindrit Kamberi së fundi po tregon performanca të mëdha te Zurichu. Tani ai ka marrë një shpërblim të veçantë: sipas Blickut, kapiteni 27 vjeçar i FC Zurich ka pranuar ftesë nga reprezentacioni i Kosovës për herë të parë,” thuhet në artikull.
Ai konsiderohet një lider i padiskutueshëm te FC Zurich dhe pas një periudhe sfiduese në karrierën e tij, është kthyer në një futbollist thelbësor për ekipin, duke dalë nga akademia e klubit. Kjo ftesë përfaqëson një mundësi të artë si për lojtarin, ashtu edhe për Përfaqësuesen e Kosovës, e cila forcon repartin e mbrojtjes me një talent të dëshmuar.
