Dinamika brenda shtëpisë së ‘Ferma VIP’ ka marrë një rrjedhë të papritur pas largimit të Vanesës. Hyrja e banores së re, Klevisës, ka nxitur menjëherë diskutime, sidomos për shkak të afrimitetit të saj të shpejtë me Indritin, i cili deri më tani ishte në qendër të vëmendjes për lidhjen e tij me Vanesën.
Një video që po bën xhiron e rrjeteve sociale ka zbuluar se Klevisa dhe Indriti nuk janë aspak të panjohur për njëri-tjetrin. Gjatë një bisede të zhvilluar në oborr, Klevisa ka rikthyer në kujtesë një moment nga e kaluara e tyre, kur të dy ndodheshin në Itali. Ajo i ka kujtuar Indritit një sfilatë mode ku kishin marrë pjesë të dy, duke e pyetur për një fustan të kuq.
“E mban mend cfarë kam pasur në Itali unë, te sfilata?” pyeti Klevisa, ndërsa Indriti, pas një hezitimi të shkurtër, konfirmoi praninë e tij aty. Klevisa vazhdoi: “E mban mend një veshje të kuqe? Që ishte si e hapur kështu?” Indriti u përgjigj pozitivisht, duke shtuar: “Po, po.”
Klevisa më pas zbuloi: “Ajo kam qenë unë. Më duket kemi dhe foto bashkë.” Indriti konfirmoi sërish: “Po, kemi.”
Ndërsa Klevisa shtoi me sinqeritet: “Unë nuk e mendoja që e njihja Indritin nga jashtë, të betohem e kisha harruar fare.”
Ky zbulim ka ngjallur mjaft reagime dhe spekulime mes shikuesve, të cilët pyesin nëse kjo njohje e mëparshme do të ndikojë në marrëdhënien e tyre brenda lojës dhe si do të pritet ky afrim nga Vanesa jashtë shtëpisë së ‘Ferma VIP’.


