Një debat i ndezur ka shpërthyer në rrjetet sociale pas publikimit të detajeve nga komunikimi mes dy figurave publike, Drilon Ramës dhe Amarildo Bakajt. Në një intervistë ekskluzive për Prive, Rama ka zbuluar natyrën shqetësuese të mesazheve që ka pranuar nga Bakaj.
Fillimisht, Driloni ka treguar se nuk i kishte kushtuar rëndësi një mesazhi nga Amarildo, por situata mori tjetër rrjedhë pasi ky i fundit publikoi një ‘story’ në rrjetet sociale. Ky veprim nxiti Ramën të reagojë.
“Mesazhin e tij nuk e pashë. Kur e pashë ‘storyn’ e tij, ia kam kthyer,” ka thënë Rama, duke lënë të nënkuptohet se tensioni mes tyre ekzistonte edhe më parë.
Ai përshkroi mesazhin e pranuar si një tekst të gjatë, me tone kërcënuese. Megjithëse nuk zbuloi të gjitha detajet, Rama ndau disa fragmente që theksojnë seriozitetin e situatës: “Nuk po du me folë çka ka shkru, por ka qenë një tekst i gjatë që ka folë, ka kërcënuar. ‘Kam me të lypë’, ‘kam me të gjetë’,” rrëfeu ai.
Reagimi i Drilonit ishte i qartë dhe i drejtpërdrejtë. Ai i kërkoi Amarildos të sqaronte qëllimet e tij, duke e pyetur nëse synonte një konfrontim fizik. “Unë prapë ia kam kthyer: ‘Tregom, a je ka don me u rreh a jo?’ Për tjera sende, nëse ke ndërmend me bo diçka, hajde e mos më lodh tu më shkru libra aty, se unë jam duke e pritë meçin më shumë, jo,” deklaroi Rama, duke theksuar pozicionin e tij.
Rama ka premtuar zbulimin e më shumë detajeve rreth kësaj përplasjeje dhe ngjarjeve pas kamerave, duke shtuar kështu një nivel më të lartë intrige për publikun. Intervistën e plotë mund ta ndiqni në videon e publikuar nga Prive.


