Prishtinë – Në prag të shpalljes së aktgjykimit nga Gjykata Speciale në Hagë, Policia e Kosovës ka marrë masa shtesë të sigurisë, të cilat ish-kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Valdet Hoxha, i cilëson si normale dhe thelbësore për ruajtjen e qetësisë dhe stabilitetit.
Gjatë një interviste për emisionin “Edicioni Special” në Klan Kosova, Hoxha theksoi se vendimi i pritur nga Hagë mund të ketë pasoja të gjera, duke prekur jo vetëm Kosovën, por edhe stabilitetin e gjithë rajonit.
Ai sqaroi se përgatitjet e Policisë së Kosovës, si dhe thirrjet për kujdes nga Ambasada Amerikane, nuk duhet të shihen si shenja alarmi, por si veprime parandaluese për menaxhimin e situatave të mundshme me grumbullime masive dhe reagime emocionale të qytetarëve.
“Si njohës i këtyre rrethanave dhe në bazë të përvojës sime profesionale, mund të them se këto masa janë shumë praktike, të domosdoshme dhe normale,” u shpreh Hox Hoxha, duke nënvizuar rëndësinë e një plani operacional robust.
Hoxha theksoi se suksesi i Policisë së Kosovës do të matet me aftësinë për të garantuar sigurinë e të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie. “Policia e Kosovës nuk do të falet nëse nuk ka një plan operacional për ta siguruar jetën e gjithë qytetarëve në Republikën e Kosovës, pavarësisht nëse janë shqiptarë, serbë, goranë, egjiptianë etj.,” deklaroi ai.
Ai gjithashtu paralajmëroi se, pavarësisht natyrës së aktgjykimit – lirues apo dënues – priten reagime të forta nga publiku. Hoxha paralajmëroi gjithashtu se aktorë të ndryshëm politikë në rajon mund të tentojnë të shfrytëzojnë zhvillimet për qëllime politike.
Prandaj, sipas tij, përgatitja e të gjitha palëve për menaxhimin e situatës është thelbësore për të siguruar një ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë.


