Ish-konkurrentja e njohur e reality show-t “Ferma VIP”, Ola Elezaj, ka dhënë detaje të reja rreth jetës së saj pas përfundimit të formatit, duke u fokusuar veçanërisht te marrëdhënia me Adionin dhe eksperienca e saj brenda fermës.
Pas një lidhjeje që fillimisht u duk sfiduese për t’u pranuar nga familja, Ola dhe Adioni kanë kurorëzuar dashurinë e tyre me një fejesë, menjëherë pas daljes nga gara.
E ftuar në emisionin “Ferma Club”, Ola ka rrëfyer se familja e saj e ka pritur Adionin me shumë ngrohtësi, diçka që e ka habitur edhe vetë atë.
“Gjithçka u konkretizua shumë shpejt. Pas bisedave telefonike, Adioni propozoi të vinte të nesërmen për të zyrtarizuar lidhjen,” ka treguar ajo.
Lidhur me hyrjen e vëllait të saj në fermë, një moment që mori shumë vëmendje, Ola e ka mbrojtur veprimin e tij, duke theksuar se ai kishte të drejtë dhe bëri atë që duhej në atë situatë.
Ajo ka shpjeguar se brenda ambientit të izoluar të fermës, kishte vështirësi për të provuar vërtetësinë e ndjenjave të saj ndaj familjes, gjë që u dëshmua pas daljes.
Aktualisht, çifti po jeton së bashku në Gjakovë, një përvojë që Ola e cilëson si shumë të bukur, teksa lidhja e tyre ishte konsoliduar që nga koha kur ishin pjesë e “Ferma VIP”.
Megjithatë, pavarësisht lumturisë, Ola nuk i ka fshehur pendesën për pjesëmarrjen në këtë format.
“Jam penduar shumë dhe nëse do e ktheja kohën pas, nuk do kisha hyrë në Ferma VIP, sepse isha shumë rehat. Por ndodhi për një arsye, që të njihja Adionin,” ka pohuar ajo.
Ola ka shtuar se nga bashkëjetesa në fermë i mungojnë më shumë shokët Visi dhe Romiri, dhe se ky rrugëtim e ka ndihmuar të zbulojë aspekte të reja të personalitetit të saj.


