Kryeministri Albin Kurti theksoi se udhëheqja e re e Serbisë duhet të pranojë realitetin e pavarësisë së Kosovës, një shtet i njohur nga mbi 120 vende, gjatë një diskutimi me studentët e Paris School of International Affairs (PSIA) të hënën pasdite.
Kurti, duke folur për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, theksoi se ky proces duhet të përfshijë përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë. Ai kërkoi dorëzimin e Milan Radoiçiqit, të cilin e përshkroi si arkitektin e këtij sulmi tragjik, ku humbi jetën togeri Afrim Bunjaku.
“Ky proces duhet të shërbejë për të bërë të qartë se Serbia, e cila ka kaluar nëpër një ndryshim të udhëheqjes, duhet ta pranojë realitetin e shekullit XXI: Kosova është një shtet i pavarur,” u shpreh Kurti para studentëve.
Ai gjithashtu theksoi se Serbia duhet të ndalojë fushatën e saj kundër njohjes ndërkombëtare të Kosovës, përfshirë instrumentalizimin e kundërshtimit të Rusisë ndaj anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Pas një periudhe të gjatë në pushtet, Aleksandar Vuçiqi pësoi humbje në zgjedhjet e fundit përballë Listës Studentore. Megjithatë, nga kjo listë ende nuk ka pasur sinjale për një ndryshim të qasjes ndaj Kosovës.
Kurti gjithashtu diskutoi për qasjen e Bashkimit Evropian ndaj Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se zgjerimi i BE-së ka marrë një urgjencë të re pas agresionit rus ndaj Ukrainës. Ai theksoi se kjo urgjencë nuk duhet të krijojë një Evropë të ndarë, ku disa vende mirëpriten, ndërsa të tjerat mbeten në një rrugë të paqartë drejt integrimit.
Një çështje tjetër e rëndësishme që Kurti përmendi ishte njohja e Kosovës nga pesë shtetet anëtare të BE-së dhe katër shtetet anëtare të NATO-s që ende nuk e kanë bërë këtë hap.
“Njohja e Kosovës nga këto pesë shtete të BE-së dhe katër të NATO-s është thelbësore për dialogun me Serbinë. Rrethanat historike që e sollën pavarësinë tonë, si represioni dhe gjenocidi, nuk mund të barazohen me lëvizjet separatiste,” përfundoi ai.
