Showbiz

Incidenti në Skenderaj: Kurti kritikon reagimin e vonuar të policisë dhe prokurorisë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me reagimin e institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë pas incidentit të ndodhur në Skenderaj, ku u përfshinë zëvendësministri i Financave, Hysen Mehani, dhe kryetari i Vetëvendosjes në Skenderaj.

Kurti theksoi se askush nuk mund ta sfidojë shtetin dhe sundimin e ligjit në Kosovë. “Në republikën e Kosovës nuk ka forcë, nuk mund të ketë asnjë individ dhe asnjë grup që sfidon suksesin e shtetit. E shteti është drejtësia e ligjeve. Ligji i drejtë i Republikës na bën bashkë si shoqëri sepse na barazon para tij. E jo si dikur që na ndante në të pambrojtur e të paprekshëm”, tha ai.

Duke iu referuar incidentit në lokalin ku u rrah zëvendësministri Mehani, Kurti tha se ka pasur kamera dhe dëshmitarë, duke shtuar se reagimi i policisë dhe prokurorisë duhet të kishte qenë më i shpejtë. “Në lokalin në Skenderaj në të cilin është rrahur e përgjakur zëvendësministri në Ministrinë e Financave Hysen Mehmeti. Njëkohësisht edhe kryetari i qendrës së Vetëvendosjes atje. Njëkohësisht edhe kandidat për deputet për legjislaturën e 19-të. Ka kamera dhe ka shumë dëshmitarë. Me ç’mora vesh dy veta janë arrestuar. Por, për përshtypjen time reagimi edhe i policisë edhe i prokurorisë ka qenë i vonuar. Unë nuk e di se çfarë ka ndodhur më pastaj në orët e pasmesnatës, por e di që reagimi është dashur të jetë shumë më i shpejtë”, theksoi Kurti.

Ai bëri një krahasim me rastet e mëparshme, duke përmendur dënimet ndaj aktivistëve të Vetëvendosjes për postime në rrjete sociale. “Ju e dini që aktivistët e Vetëvendosjes për statuse në Facebook janë dënuar me nga një vit e gjysmë burg. Ta shohim tash, prokuroria për ata që marrin me grusht edhe përgjakin zëvendësministra, çfarë dënimi do të kërkojë, dhe çfarë dënimi do të japë gjyqësori”, përfundoi ai.

Shkruani një koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *