Kreu i Trupit Gjykues, Charles L Smith, ka shpallur një vendim të rëndësishëm që shënon fillimin e procedurave për kompenzimin e viktimave në rastin e katër figurave të njohura të UÇK-së: Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli.
Me datë 16 shtator, Trupi Gjykues ka vendosur të nisin procedurat për reparacionet, duke nxjerrë një urdhër të veçantë në përputhje me nenin 22(8) dhe rregullën 168, përveç nëse Mbrojtja paraqet ndonjë kundërshtim.
Palët e përfshira në këtë proces kanë marrë afate të caktuara gjatë muajve shtator dhe tetor për të paraqitur prova lidhur me kërkesat për reparacione. Përfaqësuesi i Viktimave ka detyrimin të dorëzojë kërkesën e tij për reparacione deri më 14 tetor 2026, ndërsa Zyrat e Prokurorisë dhe Mbrojtjes duhet të përgjigjen deri më 4 nëntor.
Pjesa e vendimit:
a) VENDOS që të zhvillojë procedurën për reparacionet dhe të nxjerrë një urdhër për reparacione, në përputhje me nenin 22(8) dhe rregullën 168, me kusht që Mbrojtja të mos paraqesë kundërshtime;
b) URDHËRON Mbrojtjen që të paraqesë çdo kundërshtim lidhur me këtë çështje deri të martën, më 22 shtator 2026;
c) URDHËRON Përfaqësuesin e Viktimave dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) që të paraqesin përgjigjet e tyre deri të premten, më 25 shtator 2026;
d) URDHËRON Përfaqësuesin e Viktimave që ta informojë Trupin Gjykues dhe palët për çdo ndryshim në mënyrën e paraqitjes së provave, në përputhje me rregullën 168, deri të martën, më 22 shtator 2026;
e) URDHËRON që, nëse Përfaqësuesi i Viktimave ende dëshiron të paraqesë prova në përputhje me rregullën 168, ai duhet ta bëjë këtë deri të mërkurën, më 7 tetor 2026;
f) URDHËRON Mbrojtjen që ta informojë Trupin Gjykues, Përfaqësuesin e Viktimave dhe ZPS-në nëse synon të paraqesë ndonjë provë në përputhje me rregullën 168, deri të martën, më 22 shtator 2026;
g) URDHËRON Përfaqësuesin e Viktimave që të paraqesë kërkesën për reparacione deri të mërkurën, më 14 tetor 2026;
h) URDHËRON ZPS-në dhe Mbrojtjen që t’i përgjigjen kërkesës për reparacione deri të mërkurën, më 4 nëntor 2026;
i) URDHËRON Sekretarinë që ta riklasifikojë si publike Urdhrin e 6 nëntorit 2025, parashtresat e Përfaqësuesit të Viktimave të 17 nëntorit 2025 dhe parashtresat e ZPS-së të 17 nëntorit 2025, jo më vonë se të martën, më 22 shtator 2026;
j) URDHËRON Mbrojtjen që të dorëzojë versionet publike të redaktuara të parashtresave të Mbrojtjes të 17 nëntorit 2025, ose të kërkojë riklasifikimin e tyre, deri të martën, më 22 shtator 2026.


