Balerini i njohur Ilir Shaqiri ka përjetuar një valë të fortë emocionesh gjatë qëndrimit të tij në spektaklin ‘Ferma VIP’. Pas më shumë se dy muajsh pjesëmarrje, ku shpesh ka shprehur mallin për familjen dhe sidomos për vajzën e tij, Emily, të cilën e cilëson si pikën e tij më të dobët, produksioni i spektaklit i ka organizuar një surprizë.
Gjatë një prej puntatave, Ilirit iu prezantuan disa lajme të rreme, si pjesë e një loje. Njëri prej tyre pretendonte se vajza e tij, Emily, ishte martuar pa praninë dhe dijeninë e tij. Edhe pse balerini u shpreh i bindur se Emily nuk do të merrte një vendim kaq të rëndësishëm pa u konsultuar me të, lajmi i rremë shkaktoi reagim emocional.
Ndërsa lexonte deklaratën, Ilir Shaqiri u përlot, me duar që i dridheshin, duke treguar lidhjen e fortë dhe ndjeshmërinë e tij ndaj vajzës. Ky moment preku jo vetëm bashkëbanorët e tij në fermë, por edhe audiencën.
Menjëherë pas zbulimit se gjithçka ishte vetëm një shaka, Iliri u befasua me ardhjen e Emily-t dhe partnerit të saj. Në një takim të ngrohtë, plot përqafime dhe lot gëzimi, çifti i ri i ndau atij një lajm të bukur: kanë filluar të studiojnë dhe mësojnë gjuhën shqipe.
Ilir Shaqiri, i njohur edhe si fitues i edicionit të parë të ‘Big Brother VIP Albania’, vijon të jetë një figurë e dashur për publikun shqiptar.


