Në raportet e sivjetme të progresit, Komisioni Evropian kritikon Kosovën dhe Serbinë për mospërmbushjen e obligimeve në procesin e normalizimit të marrëdhënieve.
Por, edhe vetë dialogu që ndërmjetëson Brukseli nuk ka shënuar përparim të dukshëm politik prej më shumë se tre vjetësh.
Takimi i fundit i nivelit të lartë u zhvillua në shtator të vitit 2023.
Që atëherë, bisedimet kanë vazhduar në nivel kryenegociatorësh, por pa i afruar palët drejt një marrëveshjeje të mundshme.
Prishtina e kushtëzon rikthimin në takimet e nivelit të lartë me dorëzimin e Millan Radoiçiqit, ish-politikanit serb të Kosovës që mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë, në shtator të vitit 2023.
Beogradi, ndërkaq, këmbëngul në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Njohës të procesit vlerësojnë se BE-ja ka ende instrumente politike dhe financiare për t’i nxitur palët drejt normalizimit.
Por, mospajtimet brenda bllokut dhe mungesa e një strategjie të qartë, sipas tyre, e kanë kufizuar ndikimin e saj.
Donika Emini, nga Grupi Këshillues për Politikat e Ballkanit në Evropë, thotë se Brukseli mund të përdorë më shumë stimuj për të dyja vendet, krahas masave ndëshkuese.
Për Kosovën, ajo përmend avancimin e aplikimit për anëtarësim në BE, përfitimet nga Plani i Rritjes dhe mbështetjen financiare e politike për integrim.
Për Serbinë, mundësitë lidhen kryesisht me negociatat e anëtarësimit.
“Hapja dhe mbyllja e kapitujve negociues, qasja në fondet evropiane, përfitimet nga Plani i Rritjes dhe avancimi i përgjithshëm në procesin e integrimit mund të kushtëzohen shumë më qartë me përparimin në reformat demokratike, sundimin e ligjit dhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”, thotë Emini për Radion Evropa e Lirë.
Edhe Toby Vogel, nga Këshilli për Demokratizimin e Politikave në Bruksel, vlerëson se BE-ja ka hapësirë për të vepruar, por kërkon një angazhim të mirëfilltë të Serbisë në dialog dhe një perspektivë reale për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme.
Paralelisht, sipas tij, Brukseli duhet ta avancojë aplikimin e Kosovës për anëtarësim, i cili ka mbetur pa u shqyrtuar që nga dhjetori i vitit 2022.
“Është e tmerrshme që aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE gjendet prej vitesh në sirtarët e Brukselit dhe Komisioni nuk e adreson. Askush nuk mund të më bindë se, me vullnetin e duhur politik, nuk mund të gjendet një zgjidhje kreative që t’i lejojë një shteti, të cilin nuk e njohin të gjitha vendet anëtare, të paktën ta nisë procesin e anëtarësimit”, thotë Vogel.
Radio Evropa e Lirë iu drejtua Bashkimit Evropian me pyetje për instrumentet që ka në dispozicion për ta zhbllokuar dialogun, mundësinë e përdorimit të tyre dhe planet për rifillimin e takimeve të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë, por nuk mori përgjigje.
Për Eminin, vetëm premtimi për fonde dhe asistencë financiare nuk mjafton për t’i bindur palët të angazhohen seriozisht.
BE-ja tashmë ka Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili parasheh mbështetje financiare në këmbim të reformave.
Angazhimi konstruktiv në normalizimin e marrëdhënieve është kusht edhe për Kosovën, edhe për Serbinë.
Por, sipas Eminit, përvoja e vitit 2013 dëshmon se stimujt politikë mund të kenë ndikim më të madh.
Pas Marrëveshjes së parë të Brukselit, Serbisë iu hap rruga drejt negociatave për anëtarësim, ndërsa Kosova përparoi drejt Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.
“Mendoj se kjo logjikë duhet të rikthehet, por në një mënyrë më të qëndrueshme dhe më substanciale: përparimi real në integrimin evropian duhet të shoqërohet me angazhim real në dialog dhe zbatim të marrëveshjeve”, vlerëson ajo.
Emini kërkon përfshirje më aktive të shteteve kryesore të BE-së dhe një strategji që përcakton qartë se çfarë përfiton secila palë nëse i përmbush obligimet dhe me çfarë pasojash përballet nëse nuk i zbaton ato.
Vogel, megjithatë, e vë në pikëpyetje nëse marrëveshjet ekzistuese mund ta çojnë procesin drejt një zgjidhjeje përfundimtare.
“Më duket se BE-ja i ka humbur levat e ndikimit gjatë viteve të fundit”, thotë ai.
“Edhe nëse këto marrëveshje zbatohen nesër, a na sjellin vërtet më afër marrëveshjes përfundimtare? Nuk jam i sigurt”.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nisi në mars të vitit 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, fillimisht për çështje teknike e më pas edhe politike.
Gjatë këtyre viteve, palët arritën marrëveshje për lëvizjen e lirë, njohjen e dokumenteve, regjistrat civilë, doganat, energjinë dhe telekomunikacionin, disa prej të cilave janë zbatuar plotësisht ose pjesërisht.
Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 parashikoi integrimin e strukturave serbe të sigurisë dhe drejtësisë në institucionet e Kosovës, si dhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili ende nuk është krijuar.
Në vitin 2023, Kosova dhe Serbia u pajtuan për Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit dhe aneksin e zbatimit në Ohër, por shumica e obligimeve mbeten të papërmbushura.
Pavarësisht marrëveshjeve dhe disa rezultateve praktike, procesi nuk ka çuar në njohjen e ndërsjellë apo në një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve.
BE-ja synon arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme, për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Shtetet e Bashkuara, të cilat mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, kanë mbajtur qëndrimin se normalizimi i marrëdhënieve duhet të çojë drejt njohjes së ndërsjellë.
Kritikat ndaj Brukselit nuk lidhen vetëm me efektivitetin e instrumenteve të tij, por edhe me mënyrën se si i ka trajtuar palët në dialog.
Në vitin 2023, BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të tensioneve në veri dhe veprimeve të Qeverisë që i cilësoi si të njëanshme. Masat kufizuan bashkëpunimin politik dhe një pjesë të mbështetjes financiare.
Sipas raportit të progresit për vitin 2026, ato u hoqën pas transferimit të rregullt të pushtetit lokal në veri, pas zgjedhjeve të vitit 2025.
Autoritetet kosovare e kanë kritikuar BE-në për standarde të dyfishta, duke theksuar mungesën e masave ndaj Serbisë pas sulmit në Banjskë – pretendim që BE-ja e ka hedhur poshtë.
Edhe Vogel vlerëson se Brukseli ka ushtruar më shumë presion ndaj Prishtinës sesa Beogradit.
Sipas tij, dialogu është larguar nga synimi për një marrëveshje përfundimtare dhe është përqendruar kryesisht në menaxhimin e krizave.
“BE-ja duhet ta ndryshojë qasjen, të ndryshojë mënyrën se si sillet me të dyja palët dhe të heqë dorë nga ideja se duhet t’i japim diçka Serbisë që ta pranojë pavarësinë e Kosovës, sepse ky nuk është një lëshim, por pranim i realitetit”, thotë Vogel.
Emini, ndërkaq, ia atribuon ngecjen mungesës së vullnetit politik të palëve, bllokadave institucionale në Kosovë dhe qasjes së Brukselit.
“Në njëfarë mënyre, është krijuar përshtypja se Brukseli është kënaqur me vazhdimin e komunikimit në nivel teknik, ndërkohë që dialogu politik është shtyrë vazhdimisht, për shkak të rrethanave të brendshme në të dyja vendet”, thotë ajo.
Zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe Serbi mund të ndikojnë në të ardhmen e dialogut, por nuk pritet ta zhbllokojnë menjëherë atë.
Kosova ka tashmë një Qeveri me mandat të plotë katërvjeçar, të udhëhequr nga Albin Kurti, e cila u votua në shtator, pas një periudhe të gjatë bllokadash institucionale.
Në Serbi, zgjedhjet e tetorit sollën ndryshimin e pushtetit.
Lista Studentore, e dalë nga protestat kundër qeverisjes, i dha fund sundimit 14-vjeçar të Aleksandar Vuçiqit.
Ndërsa Serbia është në procesin e formimit të institucioneve të reja, as Emini dhe as Vogel nuk presin takim të nivelit të lartë gjatë pjesës së mbetur të vitit.
Vogel vlerëson se Brukseli duhet të vendosë kontakte me udhëheqjen e re serbe, pa ushtruar menjëherë presion mbi të.
“Do të ishte e çuditshme, në aspektin politik, t’u bësh presion njerëzve që janë më shumë në anën tuaj dhe shumë më konstruktivë – ose të paktën kështu mendojmë se janë – sesa kishim vullnet t’i bënim presion Vuçiqit”, thotë ai.
Megjithatë, sipas tij, do të duhen muaj për të kuptuar orientimin e pushtetit të ri, pasi Lista Studentore përfshin si elemente properëndimore, ashtu edhe proruse e nacionaliste.
Edhe Emini është e rezervuar ndaj pritjeve për ndryshim të politikës së Beogradit ndaj Kosovës.
“Është shumë herët të themi nëse ky ndryshim do të jetë pozitiv apo negativ për procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën”, thotë ajo.
Lista Studentore, ashtu si pushteti i deritanishëm në Serbi, e konsideron Kosovën pjesë të territorit serb, ndonëse ajo ka shpallur pavarësinë në vitin 2008.
Bartësi i saj, Ilija Srdanoviq, i ka thënë më herët REL-it se vazhdimi i dialogut për “çështjen e Kosovës dhe Metohisë” është pjesë e planit të saj.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur pritjen që udhëheqja e re në Beograd ta ndryshojë qëndrimin ndaj pavarësisë së Kosovës.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse stabilizimi institucional në Kosovë dhe ndryshimi i pushtetit në Serbi do të sjellin edhe përparim në dialog.
Për BE-në, kjo do të jetë një tjetër provë e aftësisë për t’i kthyer angazhimet politike në zbatim të marrëveshjeve. REL
Krim i rëndë në Bulqizë, viktima nuk u…
Një takim i ri Kosovë-Serbi-BE, Kallas thotë se…
Maqedonci në Berlin takohet me përfaqësuesin gjerman në…
Ndeshjet e La Liga-s mund të mos zhvillohen…
