Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka hedhur akuza të forta drejt qeverisë për gjendjen e rëndë në sektorin shëndetësor, duke e cilësuar atë si një alarm të vërtetë për shtetin.
Bajrami theksoi se gjendja reale në sistemin shëndetësor nuk pasqyrohet në konferenca për media apo statistika zyrtare, por në kushtet me të cilat përballen pacientët në klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Ajo u bëri thirrje qytetarëve dhe zyrtarëve që të vizitojnë repartet si Pediatria, Gjinekologjia, Onkologjia dhe Ortopedia për të parë nga afër listat e pritjes dhe kushtet e vështira.
“Nëse doni ta dini çfarë shteti kemi, mos e gjykoni nga konferencat për media, nga shifrat që qeveritarët i prezantojnë çdo ditë. Pyetni të sëmurët. Shkoni në Pediatri, Gjinekologji, Onkologji, Ortopedi dhe shihni listat e pritjes”, deklaroi Bajrami.
Ajo sqaroi se fajin për këtë situatë nuk e bartin mjekët dhe infermierët, të cilët sipas saj punojnë në kushte mjaft të vështira dhe arrijnë ta mbajnë funksional sistemin. “Përgjegjësia nuk është e tyre”, nënvizoi deputetja.
Bajrami konsideroi se pas gjashtë vitesh qeverisje dhe me një buxhet të konsiderueshëm për shëndetësinë, gjendja aktuale është e papranueshme. Ajo identifikoi korrupsionin si emrin kryesor të problemit në shëndetësi, duke theksuar se pavarësisht tenderëve me vlera të mëdha, pacientët vazhdojnë të përballen me mungesë barnash, materialesh mjekësore dhe kushteve joadekuate.
Si shembull, ajo përmendi mungesën e barnave për trajtimin e kancerit të gjirit në QKUK, duke shtuar se pacientët detyrohen t’i blejnë vetë ilaçet.
Në fund, Bajrami përsëriti se përgjegjësinë kryesore për gjendjen në shëndetësi e mban qeveria. “Sot gjendja në shëndetësi është alarm, sepse kur dështon shëndetësia, nuk dështon vetëm qeveria, dështon shteti”, përfundoi ajo.

