Një histori e rrallë dhe shqetësuese vjen nga India, ku 16-vjeçari Iqbal Sheikh nga West Bengal po jeton një realitet të jashtëzakonshëm. Për pesë vite me radhë, adoleshenti kalon pjesën më të madhe të ditës i zhytur në ujë, pasi çdo përpjekje për të qëndruar jashtë tij i shkakton një ndjesi të fortë djegieje në trup.
Sipas Sheikh, sapo largohet nga uji, ai përjeton një dhimbje të papërshkrueshme që qetësohet vetëm kur kthehet përsëri në të. Familja e tij, e cila ka kërkuar ndihmë mjekësore për vite me radhë, ende nuk ka arritur të marrë një diagnozë përfundimtare.
Ndërsa vetë adoleshenti ka tendencë t’i atribuojë gjendjen e tij shkaqeve mbinatyrore, mjekët theksojnë se simptomat mund të kenë një bazë të fortë mjekësore. Një nga mundësitë e diskutuar është erythromelalgia, një sëmundje e rrallë që shkakton ndjesi djegieje, nxehtësi dhe skuqje të lëkurës, megjithatë, kjo nuk është konfirmuar ende.
Historia e Iqbal ka marrë vëmendje të gjerë, duke tërhequr ndihmën e Anant Ambani, djalit të miliarderit Mukesh Ambani. Ai ka organizuar udhëtimin e 16-vjeçarit drejt Mumbai-t, ku ai pritet t’i nënshtrohet ekzaminimeve të specializuara mjekësore. Për momentin, shkaku i kësaj gjendjeje misterioze mbetet ende i panjohur.

