Spitali i Përgjithshëm “Isa Greza” në Gjakovë ka publikuar detaje rreth gjendjes shëndetësore të personave të plagosur pas ngjarjes tragjike të ndodhur të dielën mbrëma, ku humbi jetën një 18-vjeçar.
Sipas njoftimit zyrtar të spitalit, në Emergjencë janë pranuar gjithsej katër persona të lënduar. Fatkeqësisht, njëri prej tyre ka mbërritur pa shenja jete. Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor për ta reanimuar, ai nuk ka mundur të mbijetojë për shkak të lëndimeve të rënda që kishte pësuar.
Ndërkohë, një tjetër pacient i plagosur është hospitalizuar dhe, sipas informacioneve të fundit, gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetën.
Dy personat e tjerë, pasi kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe janë ekzaminuar plotësisht, janë liruar nga spitali për të vazhduar kurimin në shtëpi.
Spitali “Isa Greza” ka theksuar se stafi mjekësor ka reaguar me shpejtësi dhe profesionalizëm, duke ofruar kujdesin më të mirë të mundshëm për të gjithë personat e përfshirë në këtë ngjarje të rëndë.
