Reperja e njohur shqiptare, Tayna, ka shënuar tetë vjetorin e saj në skenën muzikore me lansimin e albumit të ri “Genesis”. Në një ceremoni të veçantë, artistja jo vetëm që prezantoi projektin më të fundit, por edhe ndau momente prekëse nga fillimet e saj, duke rikujtuar kohën kur ishte ende e panjohur për publikun.
Në një intervistë ekskluzive për “Prive by Liberta Spahiu”, Tayna rrëfeu me nostalgji rrugëtimin e saj, nga punët e para deri te kulmi i famës. Ajo kujtoi me detaje xhirimet e videoklipit të hitit “Columbiana”, kënga që i hapi dyert drejt suksesit ndërkombëtar. “Kujtoj që klipin e bëra në Fushë Kosovë, në një ambient me shisha. Klientët më vëzhgonin të gjithë, sepse atëherë nuk isha e famshme”, u shpreh ajo, duke ilustruar kontrastin mes fillimeve modeste dhe karrierës aktuale.
Sot, pas tetë vitesh aktivitet intensiv në industrinë muzikore, Tayna renditet mes artistevë më të suksesshme shqiptare, me projekte që kanë pushtuar audiencën globale. E pyetur nëse e ka imagjinuar ndonjëherë këtë nivel suksesi, reperja u përgjigj me vetëbesim: “Po, e dija që një ditë do të ndodhë kjo që po ndodh sot”.
Lidhur me albumin e ri “Genesis”, Tayna theksoi se procesi krijues ka qenë jashtëzakonisht i shpejtë dhe spontan, i nxitur nga frymëzimi i fortë që e ka shoqëruar. Albumi, i realizuar për vetëm tre muaj, është një pasqyrim i drejtpërdrejtë i jetës personale dhe përvojave të saj. “E bëra shumë shpejt sepse më erdhi frymëzimi kreativ dhe për tre muaj e përfundova”, tha ajo.
Me “Genesis”, Tayna jo vetëm që feston një kapitull të rëndësishëm të karrierës, por gjithashtu hap një kapitull të ri artistik, të cilin fansat e saj e presin me padurim dhe entuziazëm.


