Me afrimin e afatit ligjor për zgjedhjen e Presidentit të ri të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje po bën thirrje për intensifikim të takimeve me subjektet tjera politike. Deputeti Adnan Rrustemi, nga VV, ka theksuar nevojën urgjente për arritjen e një marrëveshjeje konsensuale për një figurë të pranueshme për të gjitha palët, para se vendi të hyjë në një tjetër cikël zgjedhor.
Rrustemi kujtoi se marrëveshja paraprake me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) për një kandidat të përbashkët nuk u realizua për shkak të kundërshtimeve nga gjashtë deputetë të kësaj partie. Ai shprehu shqetësimin se refuzimi i vazhdueshëm i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës për Kosovën (AAK) për të marrë pjesë në takime ka penguar progresin drejt një zgjidhjeje.
“Ne kemi kërkuar bashkëpunim, por ata na kanë refuzuar. Marrëveshja me LDK-në ishte një hap i rëndësishëm, por u prish për shkak të disa deputetëve. Tani është koha për të intensifikuar takimet, pasi kemi shumë pak ditë për të zgjedhur Presidentin dhe për të përmbushur detyrimet tona ndaj qytetarëve,” deklaroi Rrustemi.
Lidhur me mundësinë që Vetëvendosje të propozojë një kandidat jo-partiak, Rrustemi konfirmoi se kjo ka qenë gjithmonë qasja e partisë së tij. Ai beson se një figurë konsensuale është thelbësore për stabilitetin e vendit.
“Ne gjithmonë kemi mbështetur idenë e një emri konsensual. Por, PDK-ja dhe Aleanca duhet të jenë të gatshme për të bashkëpunuar. Ne jemi të angazhuar për të gjetur një zgjidhje, ndërsa ata në opozitë duhet të luajnë rolin e tyre,” shtoi ai.
Rrustemi paralajmëroi se moszgjedhja e Presidentit do të dëmtonte interesat e Kosovës, duke e lidhur këtë edhe me çështje të rëndësishme ndërkombëtare, siç janë ato të Gjykatës Speciale në Hagë. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit përballë sfidave.
“Nëse nuk e zgjedhim Presidentin dhe shkojmë në zgjedhje të reja, do të dëmtojmë interesat e Kosovës. Kjo do të ndikojë negativisht në buxhet dhe do të humbasim kohë të çmuar për të përballuar sfidat që na presin,” tha Rrustemi.
Ai shtoi se ende nuk është publikuar vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese dhe se nuk kanë pasur diskutime për një emër konkret. Rrustemi shprehu shpresën se aktivitetet për gjetjen e një zgjidhjeje do të intensifikohen së shpejti.
“Është e rëndësishme që të gjithë të kenë vullnetin politik për të arritur një zgjidhje. Nëse partitë janë të gatshme të bashkëpunojnë, ne mund ta gjejmë një emër të pranueshëm,” përfundoi ai.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur që Presidenti i ri duhet të zgjidhet deri më 6 tetor. Afati prej 60 ditësh për zgjedhjen e Presidentit ka filluar të rrjedhë që nga 8 gushti, duke e bërë urgjente zgjidhjen e kësaj çështjeje. Kalimi i afatit prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit ka shtuar edhe më tej kompleksitetin për partitë politike.
