Një ngjarje e paprecedentë ka tronditur thellësisht komunitetin shqiptar në Itali, ku një vajzë vetëm 2-vjeçare humbi jetën si pasojë e një aksidenti tragjik. Ngjarja ndodhi këtë mëngjes në Bollengo, afër Ivreas në Torino, kur babai i saj, Intrit Kullafi, 29 vjeç, duke lëvizur makinën mbrapsht në oborrin e banesës, aksidentalisht përplasi vogëlushen Elodie Kullafi.
Dyshohet se vogëlushja i ishte shkëputur për pak momente vëmendjes së nënës, ndërsa babai po përgatitej ta dërgonte atë në çerdhe. Përplasja rezultoi fatale për të miturën. Pavarësisht përpjekjeve të prindërve për ta dërguar menjëherë në spitalin e Ivreas dhe tentativave të mjekëve për ta rikthyer në jetë për më shumë se një orë, vogëlushja mbërriti pa shenja jete.
Autoritetet italiane kanë nisur menjëherë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e kësaj tragjedie. Familja Kullafi, e cila jetonte prej vitesh në zonë dhe ishte e integruar mirë në komunitet, nuk kishte fëmijë të tjerë. Kryebashkiaku i Bollengos, Luigi Ricca, ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen, duke e cilësuar ngjarjen si “një dhimbje për të gjithë komunitetin”. Kjo tragjedi rrëqethëse ka lënë të shokuar banorët e zonës dhe ka shkatërruar jetën e dy prindërve shqiptarë.

