Një studim i fundit ka nxjerrë në pah një shqetësim serioz për shëndetin publik në Londër: timonët e biçikletave elektrike me qira, të përdorura nga mbi 100 mijë persona çdo ditë, rezultojnë të jenë të kontaminuar me nivele alarmante bakteresh, përfshirë ato që tregojnë ndotje fekale.
Një investigim i detajuar nga gazeta britanike “Daily Mail” ka analizuar timonët e disa prej markave më të njohura të biçikletave me qira në kryeqytetin britanik, si Forest, Lime, Voi dhe Santander Cycles (të njohura edhe si “Boris Bikes”). Rezultatet e testeve laboratorike kanë qenë befasuese: timonët e këtyre biçikletave mbartnin një numër dukshëm më të lartë bakteresh sesa një kapak tualeti i përdorur në redaksinë e gazetës.
Krahasimi ka treguar se timonët e biçikletave kishin mbi 100 herë më shumë baktere se mostra e marrë nga kapaku i tualetit, duke ngritur pyetje urgjente mbi higjienën e këtyre mjeteve të transportit urban. Marka Voi rezultoi të ishte më e pastra mes të testuarave, por të gjitha markat e tjera shfaqën nivele të larta ndotjeje.
Sipas të dhënave, një biçikletë Santander kishte rreth 2.7 milionë koloni bakteriale, ndërsa Lime shënoi 60.6 milionë koloni. Marka Forest mbajti rekordin e ndotjes, me afro 180 milionë koloni bakteriale, një shifër 418 herë më e lartë se ajo e kapakut të tualetit.
Dawn Mellors, drejtoreshë teknike në laboratorin “Melbec Microbiology”, ka theksuar se këto gjetje tregojnë një kontaminim të konsiderueshëm. Ajo shtoi se faktorë të tillë si kushtet atmosferike dhe intensiteti i përdorimit mund të ndikojnë në nivelet e baktereve, duke sugjeruar se ndotja reale mund të jetë edhe më e lartë. Laboratori arriti të izolonte baktere specifike vetëm nga biçikleta Forest, ndërsa prania e E. coli dhe streptokokëve fekalë në mostra të tjera ngre shqetësime për burimet e mundshme të ndotjes, përfshirë jashtëqitjet e kafshëve.
Në përgjigje të këtyre rezultateve, Transport for London (TfL) ka theksuar se testimi kishte kufizime dhe se, si çdo sipërfaqe publike, edhe timonët e biçikletave mbartin natyrshëm baktere. Kompanitë si Lime dhe Voi kanë deklaruar se pastrimi i rregullt është pjesë e praktikave të tyre. Megjithatë, ekspertët këshillojnë përdoruesit që të dezinfektojnë timonët para përdorimit dhe të lajnë duart pas çdo udhëtimi, duke theksuar rëndësinë e higjienës personale në përdorimin e këtyre mjeteve të transportit.


