Anita Haradinaj, bashkëshorte e liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, ka ndarë detaje nga një takim i veçantë me Lume Thaçin dhe Violeta Veselin, bashkëshorte të ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, të cilët aktualisht po përballen me drejtësinë në Hagë.
Nëpërmjet një postimi emocionues, Haradinaj ka theksuar rëndësinë e vlerave njerëzore dhe solidaritetit mes tyre. “Po, kam pi kafe me Lume Thaçin edhe me Violeta Veselin. Po pimë kafe, se njerëz jemi dhe njeriu mbi të gjitha veç për njeriun ka nevojë, qajtëm halle e derte sepse, përveç çdo gjëje, njeriu është njeri mbi të gjitha!”, ka shkruar ajo, duke përshkruar takimin si të ngrohtë dhe mbështetës.
Gjatë bisedës, Anita Haradinaj ka kujtuar periudhën e saj sfiduese kur bashkëshorti i saj, Ramush Haradinaj, ishte i përfshirë në procese gjyqësore në Hagë. Ajo ka ndarë përvojën e saj personale, duke treguar se në moshën 24-vjeçare u përball me sfida dhe dhimbje të ngjashme me ato që zonjat Thaçi dhe Veseli po përjetojnë sot. Ky ndarje përvojash ka krijuar një lidhje të fortë mirëkuptimi mes tyre, si gra që kanë sakrifikuar shumë përkrah burrave të tyre.
Në fund të mesazhit të saj, Anita Haradinaj ka dhënë një porosi të fuqishme për publikun. Ajo theksoi se kur historia shkruhet me sakrificë dhe vuajtje të jashtëzakonshme për hir të një kauze të madhe, atëherë vlera e saj bëhet e pakrahasueshme. Këtë, ajo e krahasoi me kontributin e grave të mëdha të kombit shqiptar, si Marigona e flamurit apo Donika e Skënderbeut, duke nënvizuar rolin e tyre historik dhe sakrificën.
