Prishtinë – Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë ushtrimit të së drejtës së saj të votës në Hajvali, iu bëri thirrje qytetarëve për pjesëmarrje masive në zgjedhje, duke theksuar se vota e tyre është vendimtare për tejkalimin e krizave aktuale dhe formimin e institucioneve të reja.
Pas votimit të saj në Shkollën “Shkëndija”, e shoqëruar nga bashkëshorti Prindon Sadriu, Presidentja Osmani shprehu bindjen se procesi zgjedhor do të kontribuojë në forcimin e demokracisë dhe stabilitetit institucional të Kosovës.
“Uroj për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës një proces zgjedhor të rregullt, një proces që i kontribuon demokracisë në vendin tonë dhe krijimit sa më të shpejtë të institucioneve, në mënyrë që Kosova të dalë nga krizat e njëpasnjëshme”, deklaroi Osmani. Ajo nënvizoi se funksionalizimi i institucioneve është në interes të drejtpërdrejtë të qytetarëve dhe do të forcojë pozitën e Kosovës si brenda, ashtu edhe jashtë vendit.
Presidentja falënderoi gjithashtu institucionet e sigurisë, drejtësisë dhe mediat për angazhimin e tyre gjatë ditës së zgjedhjeve, duke vlerësuar lart rolin e tyre në mbarëvajtjen e procesit demokratik.
Osmani u shpreh optimiste se rezultati që do të dalë nga vullneti i qytetarëve do të mundësojë formimin e shpejtë të institucioneve të reja. “Jam e bindur që me votën e qytetarëve sot do të mundësohet rruga drejt krijimit të shpejtë të institucioneve dhe do të dalim nga krizat e njëpasnjëshme që e kanë dëmtuar vendin tonë”, theksoi ajo, duke shtuar se dita e sotme shënon një moment të rëndësishëm për të ardhmen politike të Kosovës.


