Djali i ish-presidentit Hashim Thaçi, Endrit Thaçi, ka reaguar me indinjatë të thellë pas dhunës së ushtruar nga policia gjatë protestës së mbrëmshme para Kuvendit. Protestuesit kërkonin miratimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, por u përballën me veprime që Thaçi i cilësoi si “të turpshme”.
Ai akuzoi drejtpërdrejt qeverinë për përdorimin e forcës kundër qytetarëve të pafajshëm, duke theksuar kontrastin mes kohës së luftës dhe situatës aktuale. “Në momentet më të vështira për vendin tonë, i gjithë populli ishte në mbështetje të UÇK-së. Është e turpshme që sot, në një kohë kur gëzojmë lirinë që e solli UÇK, të kemi një qeveri që sulmon veteranët dhe fëmijët e dëshmorëve. Kjo pabesi kurrë nuk do të harrohet”, deklaroi ai.
Endrit Thaçi gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar për sot në orën 12:00, duke i inkurajuar ata të shprehin hapur pakënaqësinë e tyre ndaj veprimeve qeveritare.
