Politikë

Qeveria Kurti ende pa program pune, mbi 65 projektligje presin shqyrtimin në Kuvend

Nga · 5 min lexim
Shpërndaje: Facebook X WhatsApp Email

Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, thotë për KosovaPress se mungesa e planit të punës nuk është një problem i ri i kësaj qeverisjeje. Sipas tij, edhe gjatë mandatit të kaluar Qeveria kishte funksionuar pa një plan të mirëfilltë, ndërsa vendimet, siç pretendon ai, ishin marrë në mënyrë ad-hoc dhe në bazë të interesave partiake.

Ramadani kritikon edhe mënyrën e përcaktimit të agjendës legjislative. Ai thotë se nismat për ligje nuk po burojnë nga objektiva të qarta politike të Qeverisë, por kryesisht nga administrata dhe stafi profesional i institucioneve shtetërore.

“Fatkeqësisht, ne kemi parë që ky strukturim i qeverisë ka kaluar edhe mandat të plotë pa plan pune. Edhe të gjitha vendimet i ka pasur ad-hoc, aty për aty, sipas interesave partiake dhe të qëllimeve partiake. E njëjta gjë, e njëjta histori është duke u përsëritur edhe tash. Kemi parë që nuk ka pas atij prezantimit fillestar, nuk ka plan pune, nuk ka qartësi, nuk ka objektiva të qarta dhe në të njëjtën kohë e ka një grumbullim idesh për ligje, të cilat kryesisht duket që kanë ardhë prej administratës dhe jo prej nivelit politik. Pra, nëse analizohet plani legjislativ, shihet qartë, sipas meje, që idetë kanë ardhë prej stafit profesional e administrativ, por jo si qëllime politike, objektiva politike të cilat duhet t’i ketë një qeveri. Pra, një qeveri duhet të vendosë qartë se si e sheh Kosovën pas katër vjetëve. Pra, pas mandatit të vet. Dhe në bazë të asaj, të vendosë se cilat janë objektivat dhe cilat janë ligjet edhe veprimet e vendimet që duhet të ndërmerren. Dhe kjo po mungon. Po mungon sepse kemi një klasë pushtetare të stërvjetëruar. Është politikë e vjetër kjo që po e bën zoti Kurti edhe qeveria. Është politikë e vjetër në mendësi, sepse nuk i përgjigjet asnjë lloj zhvillimi inovativ dhe të kërkesave, nevojave të rinisë së Kosovës”, deklaroi ai.

Sponsorizuar
Fluturim Prishtinë – Stuttgart Fluturim Prishtinë – München Fluturim Prishtinë – Göteborg
Prishtinë → Stuttgart
Fluturim direkt · nisje çdo ditë
nga 99€
Rezervo tani →
Sponsorizuar
A po të gjejnë klientët në Google? — Trik Agency Plan 90-ditor për rritjen e shitjeve — Trik Agency
Merr analizën falas →

Në anën tjetër, shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, thotë se Qeveria pritet të miratojë së shpejti programin qeverisës dhe planin e punës.

Ajo arsyeton se vonesa lidhet me ngërçin institucional dhe kohën e shkurtër nga rifillimi i punës së Kuvendit, duke theksuar se Qeveria do të vazhdojë zbatimin e zotimeve të paraqitura më herët. Ndërkaq, potencoi miratimin e agjendës legjislative nga ana e Qeverisë.

“Qeveria tashmë ka miratuar agjendën legjislative. Unë besoj se shumë shpejt do të kemi edhe programin qeverisës dhe planin e punës. Ju e dini se ne kemi bërë një gjë të tillë edhe në muajt e periudhës sa Kuvendi ishte jofunksional. E dini se është një kohë e shkurtër, dy javë që nga zgjedhja e presidentes dhe vazhdimi i punës së Kuvendit. Gjithë kjo ka ndodhur për shkak të ngërçit të krijuar nga opozita. Ne do të vazhdojmë me implementimin e planit i cili nuk ka ndryshime të mëdha nga ajo çka është thënë paraprakisht, pasi nuk ka ndryshuar asgjë as në qeverisje dhe as në terren”.

Për këtë çështje, KosovaPress ka pyetur edhe në Qeverinë e Kosovës, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndërkohë, shqetësime për ngarkesën legjislative nga ana e Qeverisë shpreh hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Vullnet Bugaqku.

Ai thotë se në Kuvend janë mbi 65 projektligje në procedurë të shqyrtimit në lexim të parë, ku përfshihen nisma të bartura nga legjislatura e kaluar dhe projektligje të reja. Sipas tij, mbetet e paqartë nëse Kuvendi dhe komisionet parlamentare do të kenë kapacitete për ta përfunduar shqyrtimin e të gjitha këtyre nismave brenda sesionit aktual.

“Janë një numër i madh i ligjeve mbi të cilat kanë mbetur edhe nga legjislatura e kaluar dhe disa të reja si derivat i disa nismave, që tash kanë filluar që një kohë të gjatë. Është e vërtetë që janë ligje voluminoze, sepse flitet diku mbi 65 ligje që janë në procedurë të shqyrtimit në lexim të parë, prandaj sigurisht që është agjendë shumë e ngarkuar. Nuk e di se a do të kenë kapacitete komisionet parlamentare e vetë Kuvendi me deputetë që deri në fund të këtij sesioni t’i përfundojnë të gjitha dhe duhet ta theksojmë që nuk janë rastet e vetme kur ato janë propozuar, jo çdo herë janë miratuar me kohë”, thekson ai.

Qeveria Kurti 4 u formua më 13 shtator 2026, pas zgjedhjes së Albin Kurtit për kryeministër dhe votimit të kabinetit të ri qeveritar në Kuvendin e Kosovës. Kurti para deputetëve kishte paraqitur edhe ekspozenë e programit qeveritar në Kuvend,

Megjithatë, deri më 6 tetor situata politike ka qenë e paqartë për shkak të dilemave për zgjedhjen e presidentit. Presidentja Justina Shiroka-Pula është zgjedhur në mesnatën e 6 tetorit.

A ekziston ende besimi në dashuri? Anjeza, Zoja…

Rubio dyshon në arritjen e paqes së negociuar…

Kosova nis rrugëtimin në Lojërat Olimpike për të…

“Pak më ngadalë, shumë më sigurt!”, Policia në…

Lexo gjithashtu

Shiko të gjitha →

Shkruani një koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *