Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka shprehur shqetësimin e thellë lidhur me situatën e tensionuar në Shqipëri, duke theksuar se zhvillimet atje prekin drejtpërdrejt të gjithë qytetarët e Kosovës.
Duke nënvizuar rëndësinë strategjike të Shqipërisë për Kosovën, Haxhiu ka bërë thirrje që institucionet shqiptare t’u kushtojnë vëmendje dhe t’i dëgjojnë kërkesat e protestuesve, veçanërisht ato të studentëve që kërkojnë të drejta.
Ajo ka kërkuar me forcë ndalimin e çdo forme dhune nga të gjitha palët, duke theksuar nevojën për një qasje serioze dhe të matur nga ana e institucioneve përballë protestave. Sipas saj, arroganca institucionale vetëm sa përkeqëson situatën dhe nxit më tej pakënaqësinë.
Lidhur me mundësinë e përfshirjes së mbështetësve të Vetëvendosjes në këto protesta, Haxhiu sqaroi se kjo nuk nënkupton përgjegjësi të partisë për veprimet individuale. Ajo theksoi se Lëvizja Vetëvendosje nuk mund të mbahet përgjegjëse për vendimet e mbështetësve të saj për të protestuar në mënyrë individuale.
“Të gjithë në Kosovë e ndjekim me vëmendje situatën në Shqipëri. Çfarë po ndodh atje na shqetëson të gjithë, sepse Shqipëria është shtëpia jonë. Është e rëndësishme që kërkesat e protestuesve të dëgjohen dhe të trajtohen me seriozitet,” u shpreh Haxhiu. “Ne nuk e mbështesim dhunën dhe kërkojmë që ajo të ndalet nga të dyja palët. Qasja ndaj protestave duhet të jetë serioze dhe e matur. Arroganca vetëm e nxit situatën. Pjesëmarrja e ndonjë mbështetësi… Nuk ka pasur thirrje nga VV për t’i mbështetur protestat. Kjo nuk është përgjegjësi e VV-së,” përfundoi ajo.
