Policia e Kosovës ka konfirmuar angazhimin e saj për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike gjatë protestës së paralajmëruar, duke theksuar se prioriteti kryesor mbetet siguria në trafikun rrugor.
Pas protestave fillimisht të qeta, Policia ka vënë re lëvizje të pakontrolluara dhe të rrezikshme të automjeteve nëpër kryeqytet nga disa pjesëmarrës, përfshirë persona me maska. Këto veprime, sipas policisë, rrezikojnë seriozisht sigurinë e qytetarëve në trafik dhe këmbësorëve.
“Veprimet e Policisë në terren kanë për qëllim parandalimin e vozitjeve të rrezikshme dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve. Ajo është e angazhuar për të siguruar një qarkullim të lehtë dhe të sigurt në rrugët e kryeqytetit,” thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia e Kosovës ka përgënjeshtruar fuqishëm pretendimet e përhapura në rrjetet sociale se qytetarët po ndalohen apo ndëshkohen për shkak të flamujve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Institucioni thekson se nuk është ushtruar dhunë ndaj askujt për shkak të simboleve historike kombëtare, por vetëm për shkelje të ligjit.
“Me përgjegjësi të plotë, ju njoftojmë se Policia nuk ka ndaluar, ndëshkuar, apo ushtruar dhunë ndaj asnjë qytetari për shkak të simboleve historike, por vetëm për shkak të shkeljeve ligjore,” sqaron Policia.
Në fund, Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunim dhe mirëkuptim, duke i inkurajuar ata të mbështeten vetëm në informacionet zyrtare dhe të shmangin përhapjen e dezinformatave.
