Policia e Kosovës ka lëshuar një apel urgjent drejtuar qytetarëve lidhur me një fushatë të re mashtrimi që po përhapet nëpërmjet mesazheve SMS. Këto mesazhe, që pretendojnë të jenë nga institucioni policor, informojnë qytetarët se kanë gjoba trafiku dhe i udhëzojnë ata të klikojnë në linqe për të kryer pagesën.
Autoritetet policore theksojnë se këto mesazhe janë plotësisht false dhe synojnë të mashtrojnë qytetarët, duke rrezikuar kështu mbledhjen e të dhënave personale dhe bankare. Në një komunikatë zyrtare, Policia e Kosovës ka bërë të qartë se:
“Ky mesazh nuk është zyrtar. Mos klikoni në linke të dyshimta, mos jepni të dhëna bankare apo personale dhe mos hapni faqe që kërkojnë pagesa përmes SMS-ve”.
Policia inkurajon qytetarët që nëse marrin mesazhe të tilla, t’i fshijnë ato menjëherë, t’i raportojnë pranë autoriteteve kompetente dhe, në rast se kanë ndarë informacione personale, të kontaktojnë menjëherë bankën e tyre për të marrë masat e nevojshme mbrojtëse.

