G-Bani ka njoftuar se fushata e tij në GoFundMe, e hapur për realizimin e këngës së re “Assasin”, është mbyllur dhe të gjitha donacionet do t’u kthehen personave që kontribuuan.
Reperi synonte të mblidhte 2 mijë funte për shpenzimet e projektit, përfshirë instrumentalën, regjistrimin, miksimin, masterizimin dhe realizimin e videoklipit.
Përmes një story në Instagram, ai publikoi emailin e pranuar nga ekipi i GoFundMe, ku konfirmohet se janë nisur rimbursimet e plota.
Sipas njoftimit, donatorët do t’i marrin 100 për qind të parave të tyre brenda tri deri në shtatë ditësh pune, ndërsa mundësia për donacione të reja është çaktivizuar.
Nga komunikimi kuptohet se G-Bani kishte kontaktuar vetë ekipin e platformës për nisjen e procedurës. GoFundMe ua mundëson organizatorëve kthimin e donacioneve kur fondet nuk nevojiten më, ndërsa vendimi është i pakthyeshëm.
Artisti nuk ka treguar ende arsyen që e shtyu ta mbyllte fushatën dhe të kërkonte kthimin e parave.


