Pas ndarjes me Mislav Karoglanin pas dy xhirove të para të stinorit, Ballkani mori Sami Sermaxhajn në krye të shtabit teknik të ekipit, por as këtij nuk i zgjati shumë te ish-kampioni! Sot, edhe zyrtarisht FC Ballkani ka bërë të ditur se ka ndarë rrugët me trajnerin Sermaxhaj, ndërsa ndarja është bërë me marrëveshje thuhet aty!
“Me marrëveshje të dyanshme, FC Ballkani dhe trajneri Sami Sermaxhaj kanë vendosur të ndërpresin bashkëpunimin.
Klubi e falënderon trajnerin për angazhimin, profesionalizmin dhe kontributin e dhënë gjatë periudhës së bashkëpunimit.
Samiut i urojmë shëndet dhe shumë suksese në vazhdim të karrierës së tij!” — shkroi FC Ballkani në njoftim.
Ballkani është i pesti në renditjen tabelare të Superligës aktualisht, me gjashtë fitore e gjashtë humbje, krahas vetëm një barazimi që e kanë. Edhe pse ekipi në dy xhirot e fundit fitoi, disfata nga Prishtina në shtëpi në kuadër të xhiros së dhjetë duket se ka qenë njollë që nuk u shlye, e që çoi në ndarjen e rrugëve me trajnerin në fjalë. Peshën e kësaj disfate e bëri më të madhe humbja e një xhiroje më parë, të nëntës, kur suharekasit nuk kaluan as Dritën në shtëpi!
Tani, mbetet të shihet se kush do të merr drejtimin e Ballkanit në vazhdim të stinorit, derisa portokallezinjtë po kërkojnë minimalisht daljen në Evropë në verën e ardhshme nga ky stinor i Superligës.
