Sot, në orën 14:00, sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë do të jetë nikoqir i “Marshit për Liri”, një tubim madhështor në shenjë mbështetjeje për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK): Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Platforma qytetare “Liria Ka Emër” ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive të qytetarëve, duke kërkuar unitet dhe solidaritet përpara aktgjykimit të Gjykatës Speciale, i cili pritet të shpallet më 16 shtator.
Eliza Hoxha, duke prezantuar programin e detajuar të marshit, zbuloi folësit kryesorë dhe temat që do të trajtohen. Ajo theksoi se hapjen zyrtare të tubimit do ta bëjnë përfaqësues të platformës “Liria ka Emër”. Ndërsa, Hysni Gucati do të flasë në emër të shoqatave të dala nga lufta, duke sjellë përvojën dhe perspektivën e veteranëve.
Pjesë e rëndësishme e programit do të jetë edhe Liriona Sulejmani, vajza e dëshmorit Bajram Sulejmani, e cila do të flasë në emër të fëmijëve të dëshmorëve. Ajo do të përçojë mesazhin e një brezi që mban mbi supe kujtesën dhe trashëgon sakrificën e luftës.
Qytetarëve do t’u drejtohen gjithashtu figura të njohura si Ardian Gjini dhe Bedri Hamza, si dhe Buna Mustafa, e bija e Salih Mustafës-Calit, duke shtuar peshën dhe rëndësinë e diskutimeve.
Programi artistik, i cili do të shoqërojë tubimin, do të përfshijë këngë patriotike. Këto këngë, sipas Hoxhës, kanë qenë gjithmonë burim frymëzimi dhe simbol i përkushtimit për liri, duke forcuar lidhjen me idealet e luftës.
Ky marsh vjen pas një sërë aktivitetesh të organizuara gjatë javës, përfshirë edhe aktivitetin simbolik “7 Zjarret në 7 Zonat Operative të UÇK-së”, që synojnë të mbajnë gjallë kujtimin dhe të shprehin mbështetje për figurat qendrore të luftës.


