Ish-banorja e ‘Ferma VIP’, Malbora, ka rrëfyer me lot në sy një episod mjaft emocionues nga qëndrimi i saj në shtëpi, ku protagonistë kanë qenë shkrimtarja Mimoza Ahmeti dhe dinamikat e forta mes banorëve.
Në një intervistë për ‘Prive’, Malbora ka zbuluar se si Mimoza Ahmeti, e njohur si Moza, u gjend në një situativë të vështirë, pa ushqim dhe nën presionin e vazhdueshëm të banorëve të tjerë, shpeshherë për shkak të menaxhimit të buxhetit dhe lojës strategjike.
Malbora tregoi se një natë, Moza iu afrua me ngurrim duke kërkuar një vend për të fjetur dhe diçka për të ngrënë. “Një natë vonë m’u afrua dhe tha: ‘A mund të fle këtu?’… I thashë: ‘Moza, do të flesh te krevati im?’ ‘Jo, jo,’ – më tha – ‘unë të fle këtu se mund të penalizohesh ti.’ Edhe më tha: ‘A mund të ha edhe diçka?’”, rrëfeu Malbora, duke u përlotur.
Kjo kërkesë e thjeshtë e Mozës për ushqim nxiti reagime të forta nga banorët e tjerë, të cilët e shihnin situatën në kuadër të rregullave të ‘buxhetit të ndarë’. Malbora reagoi ashpër, duke u shprehur se do ta përkrahte Mozën pavarësisht rregullave.
Ajo tregoi përplasjen me Sarën, e cila kundërshtoi Mozën të hante nga buxheti i tyre. “Sara erdhi dhe tha: ‘Ajo nuk duhet të hajë këtu, sepse është e ndarë nga buxheti ynë’. I thashë: ‘Sara dëgjo, sa të jem unë në këtë shtëpi, ajo do hajë, do pijë dhe do rrijë ku të ketë qejf ajo.’”, tha Malbora, duke shtuar se aty nisi miqësia e saj me Mozën, e cila po sulmohej nga të gjitha anët.


