Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka bërë thirrje për kthimin e partisë drejt bazës dhe idealistëve të saj, pas zhvillimeve të fundit brenda saj. Duke komentuar situatën politike në vend, Haziri theksoi se LDK historikisht përfaqëson idealistët, ndryshe nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) që sipas tij identifikohet me kryengritësit, dhe Lëvizja Vetëvendosje (VV) me të pakënaqurit.
“LDK ju takon idealistave. Idealistat janë anëtarësia! Në Kosovë, historia na ka mësu që LDK është parti e idealistave, PDK është parti e kryengritësve dhe VV është parti e të pakënaqunve. LDK ju takon idealistave e idealistat e saj janë anëtarësia. Jo funksionarët. Koha t’i kthehemi idealistave,” shkroi Haziri në një postim në rrjetin social Facebook.
Ky deklarim vjen pas takimit të anëtarëve të LDK-së të enjten në selinë qendrore, ku u diskutuan zhvillimet e brendshme të partisë. Ndërkohë, të mërkurën u dorëzuan nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të LDK-së, me qëllim shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku, pas rezultateve të dobëta të partisë në zgjedhjet e 7 qershorit, ku u rendit e treta.


