Prishtinë – Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar zyrtarisht se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të mbahet të enjten, më 6 gusht, duke filluar në orën 10:00.
Në një konferencë për media, Haxhiu shpjegoi vendimin për caktimin e kësaj date, duke theksuar se nuk është nxitur thirrja e seancës për shkak të mungesës së një marrëveshjeje paraprake për çështjen e zgjedhjes së Presidentit të ri.
Ajo theksoi rëndësinë e lidhjes kushtetuese mes konstituimit të Kuvendit dhe procesit të zgjedhjes presidenciale. “Kam vlerësuar me kujdes çdo hap që është ndërmarrë gjatë këtyre javëve,” tha Haxhiu, duke shtuar se ka mirëpritur dhe ndjekur nga afër përpjekjet për arritjen e një konsensusi.
Haxhiu përmendi takimet e zhvilluara me përfaqësues të PDK-së dhe LDK-së, ndërsa theksoi se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk i është përgjigjur ftesës për dialog. “Siç e dini deri tani janë mbajtur dy takime, një me PDK-në dhe një me LDK-në, kurse Aleanca nuk është përgjigjur ftesës për takim”, deklaroi ajo.
Duke qenë se ende nuk ka një dakordim politik për çështjen e Presidentit, Haxhiu vendosi të mos e thërras me ngut seancën pas certifikimit, por të shfrytëzojë afatin kushtetues për t’i dhënë partive politike hapësirën e nevojshme për dialog dhe ndërtimin e një konsensusi.
“Prandaj, sot kam vendosur që seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të mbahet me 6 gusht, e enjte, në ora 10:00,” tha ajo.
Ushtruesja e detyrës së Presidentes bëri thirrje që deri në atë datë, subjektet parlamentare të vazhdojnë dialogun, duke e parë atë jo si shenjë dobësie, por si dëshmi të përgjegjësisë demokratike. “Në një demokraci parlamentare përgjegjësia për ndërtimin e institucioneve nuk është ekskluzivitet i dikujt, por u takon të gjithëve. Marrëveshja kërkon gatishmëri dhe seriozitet nga të gjitha palët”, përfundoi Haxhiu.


