Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar rishikimin e verdiktit të Dhomave të Specializuara të Hagës, duke e cilësuar atë si të bazuar në pasaktësi faktike dhe keqkuptime historike. Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ndodhet për një vizitë, Kurti theksoi se gjetjet e gjykatës janë të gabuara dhe duhet të korrigjohen në apel.
“Ne presim që këto të korrigjohen plotësisht në apel”, deklaroi Kurti, duke shtuar se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ishte dhe mbetet e drejtë. Ai bëri thirrje për një dallim të qartë mes pretendimeve të paraqitura dhe provave të vërtetuara nga gjykata, duke theksuar se pretendimi për trafikim organesh, mbi të cilin u bazua narrativë për themelimin e Dhomave të Specializuara, nuk ishte pjesë e aktakuzës.
Në të njëjtën kohë, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nga Michigan, SHBA, shprehu mbështetjen e fortë të Shqipërisë për Kosovën pas verdiktit të Dhomave të Specializuara. “Shqipëria s’mund të bëjë asgjë më shumë sesa t’i rrijë në krah Kosovës, por ata duhet të vendosin të bëjmë gjithçka për ta zhbërë atë vendim kundër atyre katër burrave”, u shpreh Rama, duke nënvizuar rëndësinë e solidaritetit mes dy vendeve.
Ky reagim vjen pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, dhe Rexhep Selimi me 13 vjet. Ata u shpallën fajtorë për disa krime lufte, ndërsa u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.
