Detaje të reja dhe shokuese nga momentet e fundit të jetës së ish-anëtarit të grupit të famshëm “One Direction”, Liam Payne, janë bërë publike. Pas sigurimit të rreth 3 mijë fotografive, dokumenteve dhe raporteve nga policia argjentinase, dalin në dritë pamje të kamerave të sigurisë nga hoteli CasaSur Palermo në Buenos Aires.
Fotografitë tregojnë Payne duke lëvizur në ambientet e hotelit, duke komunikuar me stafin dhe duke u shoqëruar me dy gra, të cilat policia i ka identifikuar si punonjëse seksi. Një tjetër pamje e filmuar një natë para vdekjes, tregon këngëtarin duke u lëkundur pranë një shtylle jashtë hotelit.
Liam Payne, 31 vjeç, humbi jetën më 16 tetor 2024, pasi ra nga ballkoni i dhomës së tij në katin e tretë të hotelit. Analizat toksikologjike të kryera pas vdekjes konfirmuan praninë e alkoolit, kokainës dhe një substancë qetësuese në organizmin e tij. Gjithashtu, u zbulua prania e “pink cocaine”, një përzierje e rrezikshme e cila mund të përmbajë ketaminë, MDMA dhe metamfetaminë.
Pas kësaj ngjarjeje tragjike, autoritetet argjentinase ngritën akuza ndaj pesë personave. Ndërkohë që disa prej tyre, përfshirë punonjës të hotelit dhe një mik i Payne-it, Rogelio “Roger” Nores, u liruan më vonë nga akuzat, Braian Paiz dhe Ezequiel Pereyra vijojnë të përballen me akuza për furnizim me drogë të këngëtarit.
Liam Payne u bë i njohur në vitin 2010 si pjesë e “One Direction”, një prej grupeve më të suksesshme të muzikës pop në histori. Ai u varros më 20 nëntor 2024 në Angli, në një ceremoni mortore ku morën pjesë edhe ish-shokët e tij të grupit: Harry Styles, Zayn Malik, Louis Tomlinson dhe Niall Horan.


