Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kadri Kryeziu, ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me pjesëmarrjen e ulët të qytetarëve shqiptarë në zgjedhjet e sotme, duke e cilësuar si një veprim që i shërben interesave të Beogradit.
Kryeziu ka krahasuar të dhënat e pjesëmarrjes deri në orën 11:00, ku ka theksuar se në komunat me shumicë shqiptare dalja ishte rreth 8-9%, ndërsa në ato me shumicë serbe shënoi 17-18%. Ai theksoi se ky dallim nuk është i rastësishëm, por rezultat i mobilizimit të organizuar nga strukturat e Serbisë për të siguruar përfaqësimin e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës.
“Kjo nuk është rastësi. Kjo është organizim”, ka nënvizuar Kryeziu, duke paralajmëruar se abstenimi i qytetarëve shqiptarë mund të ketë pasoja politike serioze.
Ai sqaroi se mospjesëmarrja në zgjedhje nuk duhet të shihet si formë proteste, pasi çdo votë e pashfrytëzuar krijon hapësirë që vendimmarrja të ndikohet nga forca të huaja. “Abstenimi nuk është protestë. Është një ulëse e lënë bosh, që dikush tjetër do ta mbushë për ty”, ka thënë ai.
Kryeziu përmendi gjithashtu Nenad Rashiqin si një alternativë politike brenda komunitetit serb që nuk vepron nën ndikimin e Beogradit. Ai u bëri thirrje urgjente qytetarëve të dalin në votime dhe të mos qëndrojnë pasivë në një proces që konsiderohet kyç për të ardhmen e vendit, duke theksuar se mbrojtja e interesave të Kosovës realizohet edhe përmes pjesëmarrjes aktive në proceset demokratike.


