Showbiz

Kosova Tërhiqet nga Kampionati Evropian i Golfit për Seniorë: “Nuk pranojmë trajtim të pabarabartë”

Federata e Golfit të Kosovës (FGK) ka marrë një vendim të papritur duke u tërhequr nga Kampionati Evropian i Seniorëve 2026, i cili fillon sot në Paphos të Qipros. Ky vendim vjen pavarësisht se Kosova kishte siguruar kualifikimin sportiv dhe kishte përfunduar të gjitha përgatitjet logjistike dhe financiare.

Lajmin e bëri të ditur vetë FGK përmes një komunikate zyrtare, ku shprehet keqardhje e thellë për këtë situatë. Lojtari kosovar, Azer Bislimaj, ishte kualifikuar për herë të dytë radhazi në këtë garë prestigjioze evropiane.

Sipas njoftimit, procesi i regjistrimit për Federatën e Golfit të Kosovës ishte finalizuar më 23 prill 2026, dhe të gjitha detyrimet financiare, duke përfshirë udhëtimin dhe akomodimin, ishin shlyer në kohë. Federata theksoi se Bislimaj kishte kaluar muaj të tërë në përgatitje intensive, duke përfshirë dy kampe stërvitore në Spanjë dhe pesë javë stërvitje në Gjermani, nën drejtimin e trajneres gjermane Madeleine Krüger.

“Përgatitjet përfaqësojnë muaj të tërë përkushtimi, sakrifice dhe investimi personal me synimin për të përfaqësuar Kosovën me dinjitet në garën më prestigjioze evropiane për seniorë”, thuhet në komunikatë.

FGK vlerësoi edhe përpjekjet e Shoqatës Evropiane të Golfit (EGA) për të gjetur një zgjidhje. Madje, emri i Azer Bislimajt dhe flamuri i Republikës së Kosovës ishin përfshirë në sistemet zyrtare të kampionatit dhe në rezultatet digjitale, duke dëshmuar gatishmërinë e EGA-së për trajtim të barabartë.

Megjithatë, më 27 maj 2026, vetëm pak ditë para nisjes së garës, FGK u informua se autoritetet shtetërore të Qipros, me mbështetjen e Ministrisë së tyre të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, nuk do të lejonin paraqitjen e Kosovës me simbolet e saj shtetërore në të njëjtin nivel me shtetet e tjera. Konkretisht, flamuri i Republikës së Kosovës nuk do të mund të shfaqej në vendin e garës në mënyrë të barabartë me flamujt e 28 shteteve të tjera.

Federata nënvizon se nuk ishte njoftuar për një kufizim të tillë as gjatë procesit të regjistrimit e as në javët pasuese, duke shtuar se informacioni erdhi pasi të gjitha përgatitjet kishin përfunduar. “Sporti duhet të jetë një platformë e respektit, barazisë dhe mirëkuptimit ndërmjet kombeve. Kosova nuk po kërkonte trajtim të veçantë. Kërkonim vetëm të njëjtin trajtim që iu ofrua 28 shteteve të tjera pjesëmarrëse”, thuhet në reagim.

Për shkak të këtij diskriminimi, Federata e Golfit të Kosovës ka vendosur të mos autorizojë pjesëmarrjen, duke theksuar se nuk mund të pranojë gara ndërkombëtare pa të drejtën për të përfaqësuar shtetin me identitetin dhe simbolet e tij zyrtare. Pavarësisht zhgënjimit, FGK riafirmoi përkushtimin për zhvillimin e golfit në Kosovë dhe shpreson që situata të ngjashme të mos përsëriten në të ardhmen.

Shkruani një koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *