Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas një takimi me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, ku u diskutua raporti i Komisionit Evropian për vendin, ka theksuar nevojën urgjente për avancim drejt integrimit evropian. Në një konferencë për media, Kurti nënvizoi se pas stabilizimit të institucioneve pas zgjedhjeve të fundit presidenciale, Kosova ka intensifikuar përpjekjet për reformat e nevojshme, duke përfshirë ato të Planit të Rritjes.
“Pas një periudhe të ngjeshur politike, e cila përkon me pjesën më të madhe të periudhës që mbulon ky raport, më 6 tetor zgjodhëm presidentin e Republikës, duke i dhënë fund serisë së zgjedhjeve të panevojshme. Tani, me institucione të stabilizuara, kemi përshpejtuar dinamikën e reformave për integrim në Bashkimin Evropian,” deklaroi Kurti.
Ai konfirmoi se anëtarësimi në BE mbetet prioriteti strategjik kryesor i Kosovës, duke theksuar mbështetjen e gjerë qytetare dhe konsensusin ndërpartiak për këtë synim. “Integrimi në BE është prioriteti ynë strategjik afatgjatë, siç nënvizohet në raport. Ky përkushtim ka mbështetje të lartë nga popullsia dhe konsensus të gjerë ndërpartiak,” shtoi ai.
Megjithatë, Kryeministri Kurti shprehu shqetësimin se pozita aktuale e Kosovës në procesin e anëtarësimit nuk pasqyron progresin e bërë. Për këtë arsye, ai kërkoi zyrtarisht që Kosovës t’i akordohet statusi i vendit kandidat dhe të hapen negociatat për anëtarësim sa më shpejt që të jetë e mundur.
“Kosova meriton të marrë statusin e shtetit kandidat dhe të fillojë negociatat sa më shpejt,” kërkoi Kurti. Ai rikujtoi se më 15 dhjetor do të bëhen katër vjet nga aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, dhe pavarësisht përpjekjeve, Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk ka arritur ende këtë status. “Përkundër përpjekjeve, Kosova vazhdon të jetë i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa statusin e vendit kandidat,” përfundoi ai.
