Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka njoftuar një sërë masash të reja për sistemin arsimor, të cilat pritet të miratohen së shpejti. Paketën e reformave, që synon të adresojë sfidat e integrimit dhe të vendosë rregulla më të qarta, përfshinë kufizime për numrin e nxënësve të huaj në klasa.
Qëllimi i kësaj mase është krijimi i një mjedisi më të balancuar mësimor dhe lehtësimi i procesit të integrimit për të gjithë nxënësit. Për familjet e nxënësve të huaj që hasin vështirësi të theksuara në adaptim, do të vendoset detyrimi për mësimin e gjuhës italiane. Kjo pikë theksohet si thelbësore për suksesin e fëmijëve brenda sistemit arsimor italian.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është ndalimi i burkave dhe hixhabeve në ambientet shkollore. Meloni argumentoi se nxënëset duhet të kenë fytyrën e zbuluar, duke e cilësuar këtë si një çështje të barazisë gjinore. “Askush nuk mund të vendosë që një grua e re duhet të fshihet. Barazia mes burrave dhe grave është e panegociueshme,” deklaroi ajo, duke nënvizuar rëndësinë e kësaj parësoreje në shkollat italiane.
Gjatë deklaratës, Meloni foli edhe për ndikimin e inteligjencës artificiale në fushatat zgjedhore, duke paralajmëruar për rreziqet e manipulimit të informacionit përmes algoritmeve. Ajo u bëri thirrje qytetarëve të jenë vigjilentë ndaj informacioneve që qarkullojnë, duke i inkurajuar të mos i pranojnë ato si të vërteta pa verifikim.
Kryeministrja gjithashtu sqaroi qëndrimin e qeverisë lidhur me propozimin për moratoriumin e përdorimit të rrjeteve sociale nga të miturit, duke hedhur poshtë akuzat për bllokim. Ajo theksoi se përgjegjësia për mbrojtjen e të rinjve nuk duhet të bjerë vetëm mbi familjet. “Platformat duhet të mbajnë përgjegjësinë e tyre, pasi ato kanë mjetet për të reduktuar varësinë e të rinjve nga këto media,” përfundoi Meloni, duke kërkuar gjithashtu një zgjidhje për verifikimin e moshës së përdoruesve të rrjeteve sociale.
