Lajmet e Fundit

I akuzuari për krime lufte kërkon t’i ndërpritet paraburgimi: Nuk e kam ndërmend të ik nga Kosova

Në seancën e së enjtes, në Gjykatën Themelore në Prishtinë është deklaruar i pafajshëm sërish i akuzuari për krime lufte, Sladan Trajkoviq.

Duke qenë se kishte ndryshime në trupin gjykues, i akuzuari Trajkoviq është pyetur sërish në lidhje me fajësinë e tij për të cilën është deklaruar i pafajshëm, ndërsa aktakuza duke qenë se është lexuar edhe më parë është konsideruar e lexuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtësi i të akuzuarit Trajkoviq, avokati Dejan Vasiç, në fjalën e tij hyrëse ka kërkuar nga trupi gjykues që të ndërrohet masa e paraburgimit dhe e njëjta të zëvendësohet me një masë më të lehtë.

Sipas tij, gjykata nuk e ka dhënë asnjë arsyetim tjetër se përse i mbrojturi i tij po i vazhdohet masa e paraburgimit përpos arsyetimit se i njëjti ka dy nënshtetësi, dhe se ekziston rreziku i arratisjes.

Kërkesën e mbrojtjes së tij e ka mbështetur edhe i akuzuari Trajkoviq.

“Unë nuk e kam ndërmend të ik nga Kosova, asgjë nuk kam në Serbi, të gjithën që e kam, atë që më vlen shpirtërisht e materialisht është këtu në Kosovë”, tha i akuzuari Trajkoviq.

Tutje, në këtë seancë është dëgjuar edhe fjala hyrëse e prokurores speciale, Florie Shamolli e cila deklaroi se nga provat e marra e deklaratat e dëgjuara, i akuzuari do të gjendet fajtor për veprën që i ngarkohet.

Shkruani një koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *