Ajo ka thënë se sot bëhen gjashtë vite larg familjeve, lirisë dhe vendit për të cilin ata dhanë gjithçka.
“Aktgjykimi i shkallës së parë, me gjithsej 81 vjet burgim, është për ta thellësisht i padrejtë, ndërsa për ne krejtësisht i papranueshëm. E kundërshtojmë fuqishëm, sepse bie ndesh me provat, me standardet e një gjykimi të drejtë dhe me të vërtetën historike të luftës sonë çlirimtare. Në këtë proces nuk janë vënë në pikëpyetje vetëm katër çlirimtarë. Është vënë në pikëpyetje vetë historia e UÇK-së dhe rruga e Kosovës drejt lirisë e pavarësisë. Por historia jonë nuk fillon në sallat e gjyqit në Hagë. Dhe nuk mund të rishkruhet nga një aktgjykim!”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka thënë se Kosova e lirë dhe e pavarur është rezultat i sakrificës së një populli të tërë, i luftës së shenjtë të UÇK-së dhe i mbështetjes vendimtare të aleatëve tanë, SHBA-së, vendeve evropiane dhe NATO-s.
“Sot është koha që Republika e Kosovës t’i dalë zot historisë së vet dhe çlirimtarëve të saj. Angazhimi i përbashkët shtetëror, përtej dallimeve partiake, për hartimin e Strategjisë Shtetërore për procesin e apelit, forcimin e mbrojtjes juridike, sigurimin e mbështetjes së nevojshme financiare dhe intensifikimin e angazhimit diplomatik, është në funksion të kësaj mbrojtjeje. Paralelisht, po punojmë për plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, për të krijuar një mbështetje më të plotë dhe më të qëndrueshme juridike për çlirimtarët tanë”, ka thënë Çitaku.
Ajo ka shkruar se nuk po kërkojnë privilegje por drejtësi dhe se nuk do të lejojnë që një aktgjykim ta shtrembërojë historinë e një populli që luftoi për liri.
“Sepse Republika që lindi nga sakrifica e çlirimtarëve të saj, sot ka detyrimin të qëndrojë pranë tyre. Çlirimtarë, ju mbahuni të fortë! Ne nuk do t’ju lëmë kurrë vetëm! As sot. As nesër. Asnjëherë”, ka shtuar Çitaku.
Vdes një shtetas i Shqipërisë derisa ishte në…
Vjedhi në dy pompa të derivateve, arrestohet i dyshuari në Podujevë
Rasti i Arlinda Zekajt, aktivistet feministe në takim…
Sa myslimanë do të ketë Kongresi amerikan?
