Biznesmeni dhe figura publike e njohur, Fisnik Syla, i njohur gjithashtu si Fisi, ka reaguar publikisht lidhur me abuzimin e emrit dhe identitetit të tij në rrjetet sociale. Nëpërmjet një videoje të postuar së fundmi, Syla ka informuar publikun se persona të paidentifikuar kanë krijuar profile të rreme në emrin e tij, të cilat po shfrytëzohen për qëllime mashtrimi dhe përfitime personale.
Ai ka theksuar se në disa raste po përdoret edhe inteligjenca artificiale për të krijuar përmbajtje me qëllim dezinformimi. “Ky është i vetmi profil imi origjinal në TikTok. Çdo llogari tjetër që përdor emrin apo imazhin tim është e rreme, e pavërtetë. Ju lutem mos bini pre e mashtrimeve dhe raportojini ato”, ka deklaruar Fisnik Syla në videon e tij.
Në pamjet që po qarkullojnë në rrjet, Fisnik Syla, ish-bashkëshorti i këngëtares Fjolla Morina, shihet pranë shumave të konsiderueshme parash, ndërsa paralajmëron se personat përgjegjës për keqpërdorimin e identitetit të tij do të përballen me pasoja ligjore. Ky reagim vjen në një periudhë kur mashtrimet në internet, profilet e rreme dhe përdorimi i teknologjisë së avancuar si inteligjenca artificiale në platformat sociale po kthehen në shqetësim serio për figurat publike dhe përdoruesit e internetit në përgjithësi.
