Ndërsa protestat për të mbështetur babain e tij vazhdojnë, Endrit Thaçi po bëhet një emër i njohur në TikTok për një arsye të papritur: pamjen e tij tërheqëse.
Djali i ish-presidentit Hashim Thaçi ka filluar të shfaqet më shpesh në publik pas dënimit të tij me 25 vjet burgim nga Gjykata Speciale. Endriti, i cili ka qenë aktiv në protestat e mbajtura në Prishtinë, po përballet me një periudhë të vështirë për familjen e tij.
Ndërkohë, TikTok-u po e transformon atë në një figurë të njohur, duke e bërë viral përmes videove të ndryshme. Edits të shumta me Endritin po qarkullojnë në platformë, disa prej tyre të shoqëruara me këngën “Hajde ma knej” të Dafina Zeqirit, duke grumbulluar mijëra pëlqime dhe shpërndarje.
Reagimet në rrjet janë të shumta, me një pjesë të vajzave që e kanë shpallur Endritin si “crush-in” e ri të TikTok-ut. Komentet si “Si babai, si i biri” dhe “po i bukur” janë të zakonshme, ndërsa një komentues me humor shkruan: “I tranoj qikat qyky, u bo viral gjithkun”.
Megjithatë, jo të gjithë e miratojnë këtë trend. Disa komentues shprehin shqetësim, duke thënë se situata e vështirë që po kalon familja e tij nuk është momenti për të përqendruar vëmendjen te pamja apo edits-et.
Brenda disa ditësh, Endrit Thaçi është gjendur në dy botë të ndryshme: në protestat për mbështetje të babait të tij dhe në TikTok, ku është bërë protagonist i qindra edits-eve që e paraqesin në një dritë të re.
Endriti po e shfrytëzon gjithashtu këtë platformë për të mobilizuar mbështetje. Ai ka bërë thirrje për një protestë tjetër, e cila do të mbahet sonte në orën 21:00 në sheshin “Skendërbe”.


