Elena Kocaqi, një figurë e njohur si historiane dhe pedagoge, ka dhënë një analizë të thellë dhe kritike mbi peizazhin politik shqiptar në emisionin “S’e Luan Topi”. Ajo shprehu zhgënjimin më të madh të jetës së saj lidhur me situatën aktuale politike në Shqipëri, duke kërkuar një reformim rrënjësor.
Duke iu referuar zgjedhjes së Presidentit të ri, Bajram Begaj, Kocaqi sugjeroi se ky vendim ishte një strategji e kryeministrit Rama për të shmangur një përballje me një kandidate femër. “Njerëzit më njohin si historiane, por unë kam përvojë në qeverisje dhe drejtësi. Në atë kohë, u vendos që Bajram Begaj të ishte president, sepse Rama nuk donte një grua në këtë pozita”, tha ajo, duke theksuar se nuk do të qëndrojë pasive përballë sfidave aktuale.
Historiania ngriti shqetësimin se shoqëria shqiptare, të cilën e cilësoi si maskiliste, ende nuk është gati të pranojë një grua në postin më të lartë të shtetit. Ajo vuri në dukje kontributin e jashtëzakonshëm të grave, të cilat janë po aq, nëse jo më të përkushtuara se burrat, duke u kujdesur për familjet dhe duke punuar pareshtur.
Kocaqi kritikoi ashpër procesin zgjedhor dhe fushatat politike, duke i konsideruar ato si shfaqje të panevojshme që nuk i shërbejnë interesave të qytetarëve. “Në Shqipëri nuk ka zgjedhje të vërteta. Duket si një diktaturë, ku zgjedhjet fitojnë ata që dinë të këndojnë dhe të kërcenin,” theksoi ajo, duke shprehur habinë për mënyrën se si qytetarët votojnë.
E pyetur rreth mundësisë së angazhimit të saj në politikë, Kocaqi shprehu rezerva të forta. Ajo deklaroi se nuk do të merrte një hap të tillë në sistemin aktual, duke kërkuar një model më të mirë, si ai i Kosovës, për të qenë e gatshme të kontribuonte. “Nëse do të ishte një sistem ku populli do të kishte vërtetë fuqi, ndoshta do të mendohesha ndryshe. Por ajo që kam parë në fushatën e fundit ishte skandaloze,” përfundoi ajo.
Në fund të bisedës, Kocaqi ndau një detaj personal, duke treguar se edhe fëmijët e saj janë të lumtur që ajo nuk është përfshirë aktivisht në politikën shqiptare.
