Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, ka sqaruar publikisht vendimin e tij për të mos u përfshirë në listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e ardhshme. Ai theksoi se ky vendim personal nuk është kundër LDK-së, por përkundrazi, është një hap drejt ruajtjes së dinjitetit politik.
Selmanaj ka deklaruar se, pavarësisht kërkesave të shumta nga anëtarësia dhe strukturat partiake, ka zgjedhur të mos jetë pjesë e listës. “Ky nuk është vendim kundër LDK-së. Përkundrazi. Është një vendim për ta ruajtur dinjitetin politik dhe për të mos lejuar që kontributi politik të matet me standarde të momentit apo nevoja të përkohshme”, ka shkruar ai në rrjetet sociale.
Kreu i degës së LDK-së në Prizren shtoi se LDK-ja është një entitet më i madh se individët. “LDK-ja është një ideal, është bindje është historia jonë përplot lavdi dhe e ardhmja që garanton stabilitet dhe zhvillim të shtetit tonë!”, theksoi Selmanaj.
Ai konfirmoi se do të vazhdojë angazhimin e tij pranë LDK-së dhe në shërbim të qytetarëve që besojnë në parimet rugoviane, përgjegjësinë shtetërore dhe një politikë me dinjitet. “Unë do të vazhdoj të jem aty ku kam qenë gjithmonë — në shërbim të LDK-së dhe të qytetarëve që besojnë në frymën rugoviane, në përgjegjësinë shtetërore dhe në politikën me dinjitet”, përfundoi ai.


