Doruntina Lika, stilistja dhe blogerja e njohur, ka ndarë me publikun një rrëfim prekës mbi përballjen e saj me një diagnozë të rëndë: tumori. Pas shtatë seancash kimioterapie, ajo përballet me sfida të reja, duke shprehur ndjenjat e saj në emisionin “Ftesë në 5”.
Historia e saj filloi rreth gjashtë muaj më parë, në një periudhë të vështirë për të, kur dy fëmijët e saj ishin ende të vegjël. Ajo është nënë e një vajze pesë vjeçe dhe e një djali dy vjeç, dhe shenjat e para të sëmundjes i kishte vënë re pas lindjes së djalit, menjëherë pas përfundimit të gjidhënies.
Megjithëse kishte vënë re simptomat, Doruntina e kishte shtyrë vizitën te mjeku për një kohë të gjatë. Ajo shpjegoi se ndoshta nuk donte ta pranojë situatën dhe angazhimet profesionale e kishin detyruar ta linte shëndetin në plan të dytë.
Pasi përfundoi disa projekte të rëndësishme, ajo vendosi të kërkojë ndihmën mjekësore. Duke reflektuar mbi këtë vonesë, ajo shprehu dëshirën që vajzat e tjera të mos e përsërisin këtë gabim dhe të kujdesen për shëndetin e tyre.
Stresi dhe shqetësimi e shoqëruan gjatë asaj periudhe, por ajo nuk kishte guximin të vizitohej. Një ëndërr e trazoi natën dhe e shtyu të kërkonte ndihmë. Ajo beson se ëndrrat kanë një domethënie dhe, pas zgjimit, vendosi të kontrollonte simptomat e saj.
Diagnoza e saj u konfirmua, dhe ajo e përshkroi atë moment si një ndalesë të gjithçkaje: planet për të ardhmen u ndërprenë dhe jeta mori një drejtim të ri. Në këtë përballje, ajo ka pasur mbështetje të vazhdueshme nga bashkëshorti i saj, i cili e ka shoqëruar në çdo hap të trajtimit.
Vendimi për ta bërë publike situatën e saj u lidh me marrëdhënien që ka krijuar me ndjekësit në Instagram. Ajo zgjodhi të ndajë këtë pjesë të jetës së saj, duke e bërë të qartë se shëndeti është prioritet.
Kur u pyet për burimin e forcës së saj, Doruntina veçoi fëmijët si motivimin kryesor. Ajo gjithashtu gjen mbështetje te nëna dhe njerëzit që e duan. Në ditët e para pas diagnozës, ajo u ndje e shqetësuar përse kjo i kishte ndodhur, por më vonë vendosi ta shihte sëmundjen si një sfidë.
Në përfundim të rrëfimit të saj, Lika u bëri thirrje grave që të mos e lënë shëndetin në plan të dytë për shkak të punës. Ajo theksoi se kujdesi për shëndetin duhet të jetë prioritet, dhe ndërgjegjësimi për këtë çështje nuk duhet të kufizohet vetëm në muajin e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.
