Në një rrëfim të dhimbshëm për emisionin “Në Shënjestër” në News, Marjana, motra e Xhuana Nikollit, ka zbuluar detaje tronditëse rreth jetës dhe vdekjes së motrës së saj, e cila i dha fund jetës pas dhunës së vazhdueshme nga ish-bashkëshorti. Historia e Xhuanës, një vajzë e përshkruar si e qetë, e ëmbël dhe e dashur, nxjerr në pah plagët e thella të dhunës familjare dhe dështimin e shoqërisë për ta mbrojtur.
Martesa me Eraldo Fizin, sipas Marjanës, solli një mori problemesh, duke filluar nga presioni dhe mungesa e mbështetjes nga familja e tij, sidomos nga ish-vjehrra. Ajo tregon se si, edhe pse ishte në Itali, u njoftua për gjendjen e rëndë të motrës: “Mamë më tha: ‘Xhuana nuk është mirë, është në spital.’ […] Atëherë unë s’e kam gjetur gjallë.”
Problemet filluan menjëherë pas martesës. Familja e Eraldos nuk e mbështeti Xhuanën, duke i shkaktuar dhunë psikologjike. Ish-bashkëshorti, sipas motrës, jetonte jetën e tij të natës dhe të bixhozit, duke u bërë gjithnjë e më dhunues me fjalë dhe duke e ndjekur vazhdimisht Xhuanën.
Tre muaj pas martesës, Xhuana përjetoi ambientin toksik të familjes së burrit. Ajo u transferua në Tiranë për arsye pune, duke shpresuar në një jetë më të mirë. Megjithatë, ish-bashkëshorti nuk e la të qetë, duke u kthyer në xheloz dhe duke e poshtëruar vazhdimisht.
Në mars, pronarja e banesës ku jetonte Xhuana e gjeti atë në gjendje të rëndë, pasiqë ajo nuk i përgjigjej telefonatave. Mjekët konstatuan se kishte ardhur me puls shumë të ulët. Nga ekspertiza mjeko-ligjore rezultoi se ajo kishte shenja dhune fizike, veçanërisht në pjesën e fytyrës dhe trupit.
Në letrën e saj të fundit, Xhuana shprehu dhimbjen e saj: “Mam, bab, nuk e kam merituar, nuk kam bërë asgjë për ta merituar këtë. Ai më ka rrahur dhe nuk e duroj më këtë vuajtje që më ka bërë. Ju dua shumë, mos qani.” Këto fjalë dëshmojnë për dhunën barbare që ajo përjetoi.
Familja ka ngritur shqetësime lidhur me lehtësinë me të cilën mund të shitet fotoksina, duke kërkuar nga autoritetet të hetojnë më tej rrethanat e vdekjes dhe qarkullimin e substancave të tilla. Motra dhe prindërit e Xhuanës jetojnë me traumën e humbjes dhe kërkojnë drejtësi për të.


