Andrew dhe Tristan Tate, dy influencues të njohur në rrjetet sociale, aktualisht të ndaluar në Florida, po kundërshtojnë ekstradimin drejt Mbretërisë së Bashkuar. Dokumente të reja gjyqësore, të publikuara të hënën, zbardhin akuza të rënda nga prokurorët britanikë, të cilat përfshijnë përdhunimin dhe trafikimin seksual.
Parashtrimet federale detajojnë pretendimet e disa grave, të cilat kanë denoncuar abuzime seksuale dhe fizike nga të dy vëllezërit pranë autoriteteve britanike. Sipas këtyre denoncimeve, viktimat raportojnë të jenë mbytur deri në humbje të vetëdijes dhe të jenë përdhunuar.
Në një seancë të zhvilluar të hënën në gjykatën federale në Miami, vëllezërit Tate, përmes avokatëve të tyre, mohuan të gjitha akuzat dhe deklaruan synimin për të luftuar ekstradimin. Një nga mbrojtësit e tyre iu bëri thirrje publikisht administratës Trump për ndërhyrje.
Autoritetet britanike bënë të ditur se akuzat e fundit vijnë pas hetimeve të mëtejshme, të nxitura nga raportimet e katër viktimave shtesë, duke e çuar numrin total të akuzave ndaj tyre në 59.
Padia e zbardhur kundër Andrew Tate përfshin pretendimet e dy grave. Njëra prej tyre ka deklaruar se u mbyt deri në humbje të vetëdijes gjatë një përdhunimi në shtëpinë e saj në Bedford në vitin 2015. Një tjetër pretendon se gjatë një takimi në Manchester, ai e mbajti të shtypur duke i vënë në rrezik frymëmarrjen dhe duke i shkaktuar frikë për jetën.
Me këto zhvillime të reja, Andrew Tate përballet tashmë me 42 akuza, duke përfshirë përdhunimin, trafikimin e qenieve njerëzore, sulmin fizik, si dhe 19 akuza të tjera për posedim dhe shpërndarje të imazheve të dëmshme të fëmijëve dhe pornografisë ekstreme.
Nga ana tjetër, Tristan Tate përballet me 17 akuza. Dokumentet pretendojnë se ai ka përdhunuar në mënyrë të përsëritur një partnere të tij gjatë viteve 2012–2013, e ka mbytur atë deri në humbje të vetëdijes dhe e ka goditur me rrip, duke i shkaktuar nxirje dhe plagë të rënda trupore.
Prokurorët britanikë kanë konfirmuar se posedojnë dëshmi të dëshmitarëve, mesazhe elektronike dhe fotografi që mbështesin këto akuza. Arrestimet e fundit shënojnë vazhdimin e betejave të gjata ligjore të vëllezërve Tate, të cilët, pasi u bënë të njohur nëpërmjet reality show-ve britanike, krijuan një audiencë të konsiderueshme online duke promovuar përmbajtje të dëmshme dhe mizogjene.


